SYRI TV/ Homazhe në Tiranë për gjyqtarin Astrit Kalaja, njerëzit e drejtësisë ngrenë zërin për sigurinë

Mesa duket, është dashur vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja që njerëzit e drejtësisë të ngrenë zërin mbi kushtet e sigurisë në gjykatat tona. Gjatë zhvillimit të homazheve për gjyqtarin Kalaja, përfaqësues të sistemit të drejtësisë janë shprehur se gjendja në gjykatat tona është alarmante dhe se duhen masa të menjëhershme. Sokol Sadushi dhe Erion Bami u shprehën se pa siguri nuk ka drejtësi, ndërkohë që Maksim Haxhia kritikoi Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Të afërm, miq dhe kolegë kanë marrë pjesë sot në homazhet e mbajtura në Pallatin e Kongreseve për gjyqtarin Astrit Kalaja, i cili u vra të hënën në sallën e gjyqit. Homazhet u mbajtën nga ora 09:00 deri në 11:00. Aty morën pjesë personalitete të sistemit të drejtësisë dhe jetës publike. Një pjesë e tyre nuk kursyen kritikat në lidhje me gjendjen e sigurisë në gjykatat tona. Sokol Sadushi tha se gjendja është alarmante. Sipas Sadushit, pa siguri nuk mund të ketë drejtësi. Në të njëjtën linjë me të ishte edhe kryetari i Gjykatës së Posaçme, Erion Bami. Ky i fundit u shpreh se 99% e gjykatave nuk ofrojnë siguri, për shkak se janë të ndërtuara herët dhe duhen rindërtuar.

I pranishëm në homazhe ishte edhe kreu i KLGJ-së, Ilir Rusi, i cili shmangu komentet në lidhje me përplasjen e institucionit që drejton me Policinë e Shtetit. Por, për kreun e Dhomës së Avokatisë, Maksim Haxhia, qëndrimi i KLGJ-së është i papranueshëm dhe duhen masa urgjente për mbrojtjen e gjyqtarëve.

Në homazhet për gjyqtarin Astrit Kalaja ishin të pranishëm edhe presidenti i Republikës, Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama, ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, kreu i Kuvendit, Niko Peleshi dhe deputetë të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. I pranishëm ishte edhe ish-ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja. I pyetur në lidhje me linçimet publike të kryeministrit Edi Rama në Facebook dhe në daljet publike, Manja u shpreh se pas kësaj ngjarjeje është koha të reflektojmë të gjithë.

Ndërkohë, Tedi Blushi propozoi që gjyqtari Astrit Kalaja të shpallet “Dëshmor i Atdheut”.

Astrit Kalaja u vra pasditen e së shtunës në Gjykatën e Apelit nga Elvis Shkambi. Ai u qëllua me tre plumba dhe humbi jetën pa shkuar në spital, ndërsa Shkambi më pas u arrestua.