SYRI TV/ Shkodër, shtohen rastet me kancer gjiri, mjekët bëjnë apel ndaj grave dhe vajzave
Rritet numri i të prekurave me kancer gjiri në Shkodër. Shifrat janë bërë të ditura nga mjekja onkologe e spitalit të këtij qyteti, Kleva Qeraj. Kjo e fundit është shprehur se, vitet e fundit, po vihet re që kanceri i gjirit po prek edhe moshat e reja, ndërsa ka kërkuar më tepër vëmendje nga gratë dhe vajzat, në mënyrë që të kryejnë më shumë kontrolle.
28 raste të reja janë zbuluar këtë vit me kancer gjiri në Shkodër, ose 2 raste më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Shifrat bëhen të ditura nga mjekja onkologe pranë Spitalit Rajonal të Shkodrës, Kleva Qeraj. Ajo pohon se, në total, për kancerin e gjirit trajtohen 63 paciente në këtë spital.
Ajo që vihet re është se kanceri i gjirit po prek edhe moshat e reja. Prandaj, Qeraj bën apel që të kryhen më shpesh vizita.
Pavarësisht rasteve në rritje, në javën e parë të tetorit që konsiderohet si ‘Tetori Rozë’ nuk ka pasur një numër të lartë ekzaminimesh.
Kanceri i gjirit përbën rreth 11% të të gjitha rasteve të reja me kancer çdo vit, duke zënë vendin e parë për risk individual tek gratë shqiptare. Këto të dhëna, të bëra publike nga Instituti i Shëndetit Publik, theksojnë se pamja epidemiologjike e kancerit të gjirit në Shqipëri paraqet ngjashmëri me prirjet globale.
Aktualisht, në vend jetojnë rreth 5,000 gra me kancer gjiri, ndërsa vetëm në vitin 2024 janë diagnostikuar 805 raste të reja.
Krahasuar me vitin 2015, incidenca e kësaj sëmundjeje është rritur me 23%, ose mesatarisht me 2.1% çdo vit.