18-vjeçari serb i Bournemouth-it: Shqipëria skuadër e mirë, por ne jemi më cilësorë
Futbollisti i ri serb, Veljko Milosavljevic (qendërmbrojtës), ka folur me vetëbesim të madh para ndeshjes vendimtare që Serbia do të zhvillojë të shtunën (20:45), në stadiumin “Dubočica” të Leskovcit, kundër Shqipërisë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026. Në rast fitoreje, Serbia do të afrohet shumë me fazën e play-off-it.
Në një intervistë për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Serbisë, Milosavljevic, i cili është ftuar për herë të parë në kombëtaren A nga trajneri Dragan Stojkovic, foli për emocionet, pritshmëritë dhe karrierën e tij që po ecën me hapa të shpejtë.
“E kam parë ndeshjen që Shqipëria luajti në Tiranë, janë vërtet një skuadër e mirë, por mendoj se ne kemi lojtarë më të mirë dhe jemi më cilësorë. Jam i bindur se këtë do ta tregojmë në fushë. Duhet të përqendrohemi te mënyra jonë e lojës dhe te ajo që dimë të bëjmë më mirë”, – tha Milosavljevic me vendosmëri.
Vetëm 18 vjeç (i lindur më 28 qershor 2007), Milosavljevic po përjeton një vit të jashtëzakonshëm. Fillimisht u bë pjesë e formacionit titullar të Crvena Zvezdës, më pas realizoi një transferim të madh në Bournemouth, ndërsa tani është edhe pjesë e kombëtares së madhe.
“Gjithçka ka ndodhur shumë shpejt. Ndeshjet në Evropë me Zvezdën më ndihmuan shumë. Më pas erdhi transferimi në Angli, një hap i madh në karrierë. Debutimi në Premier League ishte një ndjenjë e pabesueshme. Kur pashë emrin tim në formacion, ndjeva krenari të madhe dhe thashë me vete se duhej të tregoja më të mirën time”, – tregon ai.