'Fondet IPARD përfunduan te inceneratorët', Blushi: Afera korruptive dëmtoi bujqësinë e fermerët

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, në studion e edicionit informativ të mesditës në Syri TV, tha se Konferenca e Kryetarëve është kthyer në një “maternitet të paligjshmërisë”, ku shkelet në mënyrë të hapur Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit.

Blushi akuzoi shumicën parlamentare se po refuzon kërkesat legjitime të opozitës për zhvillimin e një seance të posaçme mbi fondet IPARD, të cilat sipas tij janë kthyer në burim abuzimi dhe korrupsioni.

Ai theksoi se fermerët shqiptarë ndihen më të braktisur se kurrë, pasi prej dy vitesh fondet që duhej të shkonin për zhvillimin e bujqësisë janë përvetësuar nga inceneratorët dhe klientët e afërt me pushtetin.

Sipas Blushit, kjo aferë ka ndikuar jo vetëm në dështimin e politikave bujqësore, por edhe në rënien e eksporteve, në përkeqësimin e imazhit të vendit, dhe në falimentimin e sektorit blegtoral.

Duke e cilësuar situatën si emergjente për ekonominë kombëtare, Sekretari i Përgjithshëm i PL kërkoi një hetim serioz dhe transparencë të plotë për mënyrën se si janë përdorur fondet e Bashkimit Europian, ndërsa denoncoi edhe dështimin e institucioneve të kontrollit, si AKU, për mbrojtjen e standardeve ushqimore.

"Nuk ka më emergjencë më të madhe sesa zgjidhja njëherë e përgjithmonë e kësaj çështjeje, duke mos harruar se të gjithë fermerët e vendeve fqinje janë përfitues të këtyre fondeve që në Shqipëri janë bllokuar për shkak të abuzimit dhe vjedhjes flagrante"- tha Blushi.

Tedi Blushi:

"Për fat të keq, Konferenca e Kryetarëve është kthyer në maternitetin e paligjshmërisë, të shkeljes së Rregullores dhe të Kushtetutës.

Këto konstatime që ju evidentuat janë mëse të qarta dhe sot shumica, e dalë nga vullneti i popullit, refuzoi kërkesat e drejta për respektimin e Rregullores, në zhvillimin e një seance për fondet e IPARD.

Duhet të theksojmë se sot, fermerët shqiptarë ndihen më të braktisur se kurrë, për shkak se prej dy vitesh, përmes një hetimi serioz, është konstatuar se fondet e IPARD nuk kanë përfunduar tek fermerët, por tek inceneratorët apo tek të afërmit e disa prej bandave më të rrezikshme në vend.

Nuk ka më emergjencë më të madhe sesa zgjidhja njëherë e përgjithmonë e kësaj çështjeje, duke mos harruar se të gjithë fermerët e vendeve fqinje janë përfitues të këtyre fondeve që në Shqipëri janë bllokuar për shkak të abuzimit dhe vjedhjes flagrante. Mbi të gjitha, kjo ndodhi sepse ka munguar një hetim serioz për këtë aferë, e cila ka bërë që fermerët shqiptarë të mos përfitojnë fondet nga Bashkimi Europian.

Kjo është një situatë emergjente, në një kohë kur vendi shënon vit pas viti rekorde negative sa i përket eksporteve.

Nuk duhet harruar se këto abuzime kanë dëmtuar rëndë edhe imazhin e Shqipërisë, pasi shumë nga ngarkesat ushqimore, si frutat dhe perimet, janë refuzuar për shkak të mosplotësimit të standardeve të BE-së. Kjo ndodh për shkak të dështimit të institucioneve, si AKU, e cila lejon transportin e produkteve që nuk plotësojnë kriteret minimale.

Në këto kushte, bujqësia shqiptare ndodhet në prag falimenti, dhe kronikat mediatike e dëshmojnë këtë realitet. Nuk duhet harruar as tragjedia në blegtorinë shqiptare, ku kemi humbur më shumë se gjysmën e krerëve të përgjithshëm.

Kjo është një panoramë e zezë për bujqësinë dhe ekonominë kombëtare. Për fat të keq, edhe sot, kur ngremë një çështje kaq thelbësore, që lidhet drejtpërdrejt me jetesën e fermerëve dhe me ekonominë, marrim të njëjtën përgjigje: refuzim dhe mospërfillje të argumenteve".