Zmadhohet ‘Camp Nou’, po ngrihet unaza e tretë e tempullit ‘blaugrana’

Punimet për ndërtimin e unazës së tretë të stadiumit “Camp Nou” po ecin me ritme të shpejta. Sipas “El Mundo Deportivos”, gjatë ditëve të fundit janë montuar dy sektorët e parë të tribunës së re, e cila do të vendoset menjëherë mbi zonën e lozhave VIP.

Edhe pse Barcelona njoftoi se ndeshja e radhës në La Liga kundër Gironës do të zhvillohet në “Estadi Lluís Companys”, punimet në shtëpinë historike të katalanasve po vazhdojnë pa ndërprerje. Fillimi i ndërtimit të unazës së tretë shënon një etapë të re në procesin e rinovimit të stadiumit.

Prioriteti i klubit është sigurimi sa më i shpejtë i licencës së parë të përdorimit (faza 1A), e cila do të lejonte hapjen e stadiumit për rreth 27.000 tifozë. Megjithatë, ndryshe nga planet fillestare, Barça tani synon të rikthehet në “Camp Nou” vetëm pasi të marrë licencën e fazës 1B, që do të mundësonte një kapacitet prej afërsisht 45.000 spektatorësh.

Sipas parashikimeve të kompanisë turke “Limak”, që po drejton punimet, licencat për fazat 1A dhe 1B duhej të ishin gati në mesin e shtatorit, ndërsa faza 1C, që do të lejonte përdorimin e plotë të dy tribunave të para, me kapacitet rreth 62.000 ulësesh, pritej për në mesin e tetorit.

Ndërtimi i unazës së tretë, pasi të përfundojnë dy të parat, do të shtojë mbi 40.000 vende të reja, duke e çuar kapacitetin total të stadiumit të ri në rreth 105.000 spektatorë, siç është parashikuar në projektin përfundimtar të “Spotify Camp Nou”.