Lezhë/ Zbulohen 2 parcela ku ishin kultivuar bimë narkotike, arrestohen dy persona

Policia e Lezhës ka finalizuar operacionin antidrogë të koduar “Processing”, pas disa javësh hetime në bashkëpunim me Prokurorinë e Lezhës.

Gjatë aksionit, u zbuluan dy parcela me bimë narkotike dhe një ambient i përshtatur për tharjen e tyre, në fshatin Shtuf.

Në total u asgjësuan 220 bimë cannabis sativa dhe u sekuestruan rreth 33.7 kilogramë lëndë narkotike.

Policia arrestoi Preng Marku dhe Kristian Pima, njëri prej të cilëve u kap në flagrancë gjatë procesit të tharjes së drogës, ndërsa tjetri rezulton me precedent penal për të njëjtën veprimtari.

Hetimet po vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

Njoftimi i policisë:

Zbulohen në fshatin Shtuf, 2 parcela ku ishin kultivuar bimë narkotike dhe 1 ambient i përshtatur për tharjen e tyre.  

Sekuestrohen rreth 33.7 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa dhe asgjësohen 220 bimë të dyshuara narkotike.   

Vihen në pranga 2 autorët e dyshuar. Njëri prej tyre u kap në flagrancë në ambientin ku thaheshin bimët narkotike, tjetri me precedent penal për të njëjtën veprimtari kriminale.   

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Lezhë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, pas disa javësh hetime në drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, ka organizuar dhe finalizuar në bashkëpunim me Sektorin Operacional, operacionin policor të koduar “Processing”.            

Si rezultat i operacionit, u vunë në pranga shtetasit:        
-P. M., 31 vjeç, banues në fshatin Shtuf; 
-K. P., 31 vjeç, banues në fshatin Arrëz, Mirditë, me precedent penal për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve. 

Gjatë operacionit, u zbuluan në territorin e fshatit Shtuf, njësia administrative Kaçinar:    
-2 parcela ku ishin kultivuar 220 bimë narkotike cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies, përveç një pjese të vogël që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale;  
-1 ambient që këta shtetas e kishin përshtatur për tharjen e bimëve narkotike dhe përgatitjen e tyre për shitje. Në këtë ambient u gjetën dhe u sekuestruan rreth 33.7 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, në proces tharjeje, si dhe u kap në flagrancë shtetasi P. M.  

Vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.  

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.