Cristiano Ronaldo bëhet futbollisti i parë miliardier në histori
Cristiano Ronaldo, ish-sulmues i Real Madrid, Manchester United dhe Juventus, aktualisht pjesë e skuadrës saudite Al Nassr, është bërë futbollisti i parë miliardier. Këtë e raporton Bloomberg, që e vlerëson pasurinë e ‘yllit’ portugez në 1,4 miliardë dollarë (rreth 1,2 miliardë euro).
Një rritje e madhe e pasurisë së Ronaldos, i cili ka mundësi të shfrytëzojë imazhin e tij për të marrë sponsorizime luksoze si ato të Armani-t, Castrol dhe Nike, ka ardhur nga rinovimi i kontratës me Al Nassr, i nënshkruar në qershorin e kaluar, që thuhet se ka sjellë në xhepat e 40-vjeçarit portugez mbi 400 milionë dollarë.
Sipas llogaritjeve të Bloomberg, Ronaldo ka fituar mbi 550 milionë dollarë pagë midis viteve 2002 dhe 2023. Ai gjithashtu ka nënshkruar një kontratë dhjetëvjeçare me Nike, që i siguron rreth 18 milionë dollarë në vit, si dhe sponsorizime të tjera me marka si Armani dhe Castrol, duke shtuar mbi 175 milionë dollarë në pasurinë e tij neto. Kalimi i tij tek Al Nassr në 2023 i ka sjellë rreth 200 milionë dollarë në vit nga paga dhe bonuset pa taksa, përveç përfitimeve të tjera si bonusi për nënshkrim prej 30 milionë dollarësh. Në qershor, ai nënshkroi një rinovim tjetër me skuadrën saudite, që thuhet se vlen më shumë se 400 milionë dollarë.
Për një kohë të gjatë, pasuritë e CR7 dhe Lionel Messit kanë qenë të ngjashme, por në 2023 pozicionet e tyre u ndanë dukshëm, me kalimin e Ronaldos në Gjirin Persik dhe transferimin e Messit tek Inter Miami në Major League Soccer. Megjithatë, argjentinasi do të marrë një pjesë të klubit amerikan pas pensionimit, një marrëveshje që mund ta vendosë përsëri në barazi me rivalin e tij të përjetshëm.