'Kriminelët mbështeten nga qeveria', Balliu: Në Shqipërinë e Ramës pakësohen shkollat, rriten laboratorët e drogës dhe krimi i organizuar
Në një videomesazh në rrjetet sociale, deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, kritikoi qeverisjen e Edi Ramës, duke theksuar se në vendin tonë po pakësohen shkollat dhe regjistrimet e studentëve, ndërsa po shtohen laboratorët e drogës dhe aktiviteti kriminal.
Ai thekson se nën pushtetin aktual po shtohen laboratorët e drogës dhe krimi i organizuar. Për të rinjtë, Shqipëria po bëhet një vend i papërshtatshëm për jetë.
Ndërsa, sipas tij, kriminelët gjejnë mbështetje të fortë në qeveri dhe pushtet e prandaj Shqipëria është vendi i tyre i preferuar për të pastruar paratë e krimit.
Deklarata:
Në Shqipërinë e Edi Ramës, pakësohen shkollat dhe shtohen laboratorët e drogës. Nën pushtetin e Ramës, shtohen kriminelët dhe pakësohen studentët.
Në këtë vit të ri akademik, e vetmja gjë që po shohim është mbyllja e shkollave dhe shumë më pak regjistrime nga të rinjtë. Qartazi, të rinjtë po largohen. E vetmja gjë që po shtohet nën pushtetin e Edi Ramës janë laboratorët e drogës dhe kriminelët.
Për të rinjtë, Shqipëria është bërë një vend që nuk mund të jetohet, ndërkohë që për kriminelët qartazi është vendi i tyre i preferuar, sepse këtu pastrojnë paratë, pasi kanë mbështetjen e qeverisë dhe mbështetjen e pushtetit.