Më shumë mace sesa njerëz: Ishulli mesdhetar spanjoll që turizmi nuk e përpiu të gjithin
Ishujt mesdhetarë të Spanjës kanë filluar të përfaqësojnë një ideal të stilit të jetesës dhe kohës së lirë.
Ka shumë mundësi që ta njihni arkipelagun Balearik. Çdo vit, miliona njerëz dynden në ishujt e Majorkës, Menorkës, Ibizës dhe Formenterës për të bredhur nëpër qytete të lyera me gëlqere, për të shijuar plazhet e virgjëra, për të përqafuar atmosferën e qetë dhe, për disa, për të shijuar pak festë.
Pak më në jug shtrihet një tjetër ishull spanjoll që kap shumë nga kjo magji mesdhetare, ndërkohë që mbetet pothuajse tërësisht i panjohur.
Shikoni hartën e Spanjës, zmadhoni cepin e saj juglindor dhe, nëse i kushtoni vëmendje, do të dalloni një copë toke të zgjatur pranë qytetit të Alikantes.
Ishulli i vogël dhe i sheshtë i Nueva Tabarca shtrihet 1,800 metra - pak më shumë se një milje - dhe përfshin vetëm 400 metra në pikën e tij më të gjerë. Rreth 50 njerëz jetojnë në ishull gjatë gjithë vitit, duke e bërë atë ishullin më të vogël të banuar përgjithmonë në Spanjë.
Ajo që i mungon Tabarcës në madhësi, e kompenson më shumë seç duhet me trashëgiminë natyrore dhe kulturore. Izolimi i saj e ka mbrojtur atë nga zhvillimi i tepërt i pamatur, që ka dëmtuar pjesën më të madhe të Costa Blancës aty pranë.
Megjithatë, Tabarca është larg të qenit e largët. Zyrtarisht pjesë e Alicante-s, ajo ndodhet vetëm disa milje larg bregdetit. Disa herë në ditë, tragete me fund qelqi transportojnë vizitorët përmes rripit të ngushtë të ujit nga porti kontinental i peshkimit të Santa Polës.
Edhe kjo shkallë minimale e ndarjes gjeografike i ka dhënë Tabarcës një personalitet krejt të vetin.
Karakteri i saj dallues, i detyrohet shumë një shekulli të jashtëzakonshëm të 18-të. Banorët e ishullit i gjurmojnë rrënjët e tyre jo në brigjet aty pranë, por qindra milje larg - në një sagë historike që lidh Tabarcën me Italinë dhe Afrikën e Veriut.
Nga Tabarca e Vjetër në të Renë
Nueva në emrin e saj, lë të kuptohet historia.
Midis viteve 1500 dhe 1800, korali i kuq nga ajo që atëherë ishte ishulli i Tabarkës, në bregdetin verior të Tunizisë, ishte një mall i çmuar.
Në shekullin e 16-të, familja gjenoveze Lomellini siguroi një koncesion nga sundimtarët vendas për të mbledhur korale atje. Deri në mesin e shekullit të 18-të, vendbanimi numëronte rreth 2,000 banorë, shumica me origjinë gjenoveze.
Pastaj beu osman i Tunizisë, sundimtari i asaj që është Tunizia e sotme, kishte plane të tjera.
Në vitin 1741, forcat e tij pushtuan Tabarkën, duke skllavëruar shumë banorë dhe duke shkaktuar tronditje në të gjithë Mesdheun perëndimor. Mbretërit e Spanjës dhe të Sardenjës ofruan strehim për ata që shpëtuan dhe paguan shpërblime për të liruar ata që ishin ende robër.
Atyre që mbërritën në Spanjë iu ofrua një vend për të rindërtuar jetën e tyre — në një ishull të vogël e të shkretë. I njohur atëherë si Illa Plana, ose ishull i sheshtë, ai u riemërua Nueva Tabarca në kujtim të shtëpisë së tyre të mëparshme.
Vendbanimi i ri nuk ishte i improvizuar. Në përputhje me idetë e ndriçuara të kohës, inxhinierëve ushtarakë iu caktua të hartonin një rrjet urban të saktë, i cili është ende i dukshëm sot. Rrugë të gjera dhe të drejta kryqëzoheshin në kënde të drejta, duke u bashkuar në një shesh qendror. Një perimetër i fortifikuar mbronte komunitetin nga piratët barbarë, që bastisnin rregullisht bregdetin spanjoll.
Ndërkohë, jo të gjithë tabarkianët arritën në Spanjë. Disa gjetën strehim në Sardenjë, ku Mbreti Carlo Emanuele III i Savojës, i rivendosi në ishujt e San Pietros dhe Sant'Antiokos, duke themeluar fshatrat Carloforte dhe Calasetta. Pasardhësit e tyre ende flasin dialektin, "Tabarchino" dhe ruajnë një kulturë të veçantë.
Vitet e fundit janë parë përpjekje për të rilidhur tre komunitetet Tabarchine, pas vitesh të tëra ndarjeje. Në vitin 2024, rreth 75 përfaqësues u mblodhën në Pegli, pranë Xhenovës, vendlindjes së paraardhësve të tyre. Madje flitet edhe për nominimin e sagës së Tabarchine, për listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s.
Ndërkohë që kjo njohje mbetet një perspektivë e largët, Tabarca spanjolle gëzon mbrojtje të tjera zyrtare. Në vitin 1986, ajo u bë rezerva e parë detare e Spanjës. Dy të tretat e ishullit mbeten të pazhvilluara dhe kryesisht të paprekura. Ujërat përreth, shkëmbinjtë dhe ishujt ngjitur, veprojnë si strehë për jetën detare.
Një e treta e urbanizuar e ishullit është përshtatur me turizmin, me shumë shtëpi tradicionale të shndërruara në akomodime afatshkurtra, për numrin në rritje të turistëve që po ikin nga zhurma e Kosta Blancës.
Ishulli i turistëve ditorë
Sharmi i Tabarcës nuk ka kaluar pa u vënë re, madje as përtej kufijve të Spanjës.
María del Mar Valera, një pronare restorantesh në Tabarca dhe presidente e APEHA, një shoqatë e bizneseve të mikpritjes në Alicante, i thotë CNN se vizitorët ndërkombëtarë mund të përbëjnë deri në 80 deri në 90% të mbërritjeve.
Shumica e turistëve janë turistë ditorë. Rreth 20 biznese të vogla u shërbejnë afërsisht 200 deri në 250 personave, megjithëse biznesi është rreptësisht sezonal, pavarësisht klimës së butë gjatë gjithë vitit. "Askush nuk vjen këtu në dimër", shton ajo.
Duke vizituar një të premte të qetë në fillim të vjeshtës, rrugët e Tabarcës ishin pothuajse të shkreta. Macet, që ngroheshin në diellin e pasdites, ishin shumë më të shumta se njerëzit. (Një studim zbuloi se në vitin 2023 kishte rreth dyfish më shumë mace në ishull sesa njerëz). Rrugët e gjera dhe të rregullta - të pazakonta për një qytet mesdhetar - e përforconin ndjesinë e qetësisë.
Disa javë më parë, do të kishte qenë një pamje tjetër.
«Në kulmin e verës mund të kemi gjashtë ose shtatë mijë vizitorë, mund të kemi arritur në 10,000 në ndonjë ditë kulmi», thotë Valera.
Disa vendas ankohen se kur turistët largohen, ishulli zhduket nga pamja — veçanërisht kur bëhet fjalë për shërbimet publike.
Mungesa e opsioneve të transportit midis nëntorit dhe marsit, kur frekuencat e trageteve bien drastikisht, është një ankesë e madhe, thotë Carmen Martí, presidente e shoqatës së banorëve të Tabarcës.
«Është shumë e vështirë të jetosh një jetë normale kur mezi arrin të shkosh në kontinent dhe të kthehesh brenda ditës», thotë Martí për CNN. Disa banorë të moshuar madje janë larguar për shkak të vështirësisë në aksesin ndaj kujdesit të rregullt mjekësor.
Shoqata po bën fushatë që banorët e ishullit të përfitojnë nga përfitime të ngjashme me ato që gëzojnë banorët e ishujve të tjerë spanjollë, të tilla si transporti publik i garantuar dhe udhëtimi me zbritje në kontinent.
Martí mbështet gjithashtu, futjen e një sistemi elektronik biletash për të hyrë në ishull. Kjo, thotë ajo, do t'u mundësonte gjithashtu qeverive lokale dhe rajonale, të kenë një ide të saktë se sa njerëz vizitojnë ishullin dhe të planifikojnë infrastrukturën dhe shërbimet publike në përputhje me rrethanat.
Ashtu si shumë destinacione mesdhetare, Nueva Tabarca po përpiqet të gjejë ekuilibrin e duhur midis ruajtjes dhe turizmit. Në maj 2025, qyteti i Alicante miratoi legjislacion të ri, që kërkonte të mbronte më tej trashëgiminë arkitekturore të Tarbarca-s.
“Po punojmë për të ruajtur disa elementë arkitekturorë me vlerë që ekzistojnë në ishull”, thotë për CNN José Manuel Pérez, kreu i trashëgimisë komunale në qytetin e Alicante-s. “Përveç qendrës historike të qytetit, po vlerësojmë edhe përdorimet e mundshme në të ardhmen për fortesën e ishullit”, shton ai, duke iu referuar një tjetër strukture unike të ishullit, një kullë të fortifikuar e cila deri jo shumë kohë më parë strehonte një garnizon të vogël ushtarak.
Kulla e fortesës qëndron si një centinel i vetmuar në një shtrirje prej gjysmë miljesh me shkurre në një pjesë të pabanuar të ishullit, një far dhe varrezë janë shoqëruesit e saj të vetëm të krijuar nga njeriu.
Nga aty, në horizont duken ndërtesat e larta të Alikantes, një kujtesë në kohë se Tabarca ofron diçka gjithnjë e më të rrallë në Mesdhe: një vend të ndërtuar sipas përmasave njerëzore./ CNN.