Ndihma ekonomike u përdor si armë elektorale: Qindra familje humbasin përfitimet për arsye absurde

Shteti u bë njësh me partinë në pushtet, ky ishte rreshti i parë i raporti paraprak të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 11-Majit të këtij viti. Kjo fjali nënkuptoi atë që u provua më pas edhe nga prova të shumta të partive opozitare se 11-Maji u kthye në një farsë elektorale pasi shteti u vu i gjithi në shërbim të partisë në pushtet për të tjetërsuar votën.

Një nga elementët kryesorë ishte përdorimi i ndihmës ekonomike për familjet në nevojë, të cilave me lista në dorë u bë presion të votonin rilindjen, në të kundërtën do të largoheshin nga skema e mbështetjes, e cila duhet thkesuar, është qesharake. Ashtu sikurse edhe bonuset për pensionistët gjatë periudhës zgjedhore.

Mirpo, vetë të dhënat e insitucioneve shtetërorë kanë nxjerrë zbuluar se një pjesë e madhe e familjeve të varfëra janë mbajtur pezull për arsye qesharake, identifikimi i adresave nga institucionet vendore apo burokraci artificiale dhe janë lënë jashtë skemës së përfitimit.

Kjo tregon  qartë se fill pasi u grabiti votën, pushteti i harroi familjet në nevojë.

Gjatë vitit 2024, skema e Ndihmës Ekonomike u përball me një ulje të ndjeshme të përfituesve, duke lënë shumë familje në nevojë pa mbështetjen që u takonte.

Sipas raportit të fundit të Shërbimit Social Shtetëror, shkaku kryesor lidhet me dështimet e njësive vendore në verifikimin në banesë të familjeve përfituese, çka bëri që shumë aplikime të mbeteshin pezull ose të refuzoheshin padrejtësisht.

Të dhënat tregojnë se ndihmë ekonomike përfituan 53.534 familje dhe individë, kryesisht në qarqet më të varfra të vendit: Dibër, Kukës, Elbasan dhe Korçë.

Sipas raportit, 271 familje janë përjashtuar nga skema pas refuzimit të tre ofertave për punësim, ndërsa 1.257 familje vijojnë të jenë përfituese për shkak të problematikave sociale, ekonomike apo shëndetësore. Një tjetër grup prej 656 familjesh është ende në pritje të ofertave të punësimit.

Sa i përket personave me aftësi të kufizuar (PAK), kujdesi ndaj tyre mbetet i pjesshëm. Nga 5.901 individë të identifikuar si kategori PAK, vetëm 328 janë punësuar dhe 143 janë përfshirë në programe të formimit profesional — shifër që tregon qartë sfidat e një sistemi që premton shumë, por shpesh nuk arrin të përmbushë pritshmëritë.

Ndihma ekonomike përbën një nga programet kryesore të mbrojtjes sociale për kategoritë në nevojë. Pagesa mujore në para shoqërohet me përfitime të tjera si: çerdhe dhe kopshte falas, libra falas, bursa për studentët e familjeve përfituese, vizita mjekësore dhe ilaçe të rimbursueshme, si dhe mundësi punësimi apo formimi profesional.

Nga kjo skemë përfitojnë familjet që nuk kanë të ardhura ose që kanë të ardhura të pamjaftueshme, me synim zbutjen e varfërisë dhe përjashtimit shoqëror, si dhe krijimin e mundësive për integrimin e tyre. Përfitues janë edhe:

- jetimët që nuk ndodhen në institucione përkujdesjeje shoqërore;
- prindërit me më shumë se dy fëmijë të lindur njëherësh që u përkasin familjeve në nevojë;
- viktimat e trafikimit pas daljes nga institucionet e përkujdesjes, deri në momentin e punësimit të tyre;
- viktimat e dhunës në familje gjatë periudhës së vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes, të cilat nuk trajtohen në institucione të posaçme.

Megjithatë, raporti thekson se dështimet në verifikim dhe menaxhim tregojnë qartë se përmirësimi i sistemit të ndihmës ekonomike mbetet një sfidë urgjente.