Armando Broja, para ndeshjes me Serbinë: Më e rëndësishme është fitorja, por dua të ndihmoj edhe me gola

Sulmuesi i Kombëtares Shqiptare dhe i Burnley-t, Armando Broja, ka folur për sfidën e radhës kundër Serbisë, një ndeshje ku tifozët shqiptarë mbajnë shpresa të mëdha për shkak të cilësive sulmuese të lojtarit. Broja thekson se pavarësisht mungesës së golave, prioritet mbetet fitorja dhe bashkëpunimi me ekipin.

Ju mungon goli nga viti 2023, por tifozëve shqiptarë u mungon Broja…

Më e rëndësishme për mua është të fitojmë ndeshjen. Normalisht kam dëshirë të shënoj gola, por më e bukura do të ishte të fitonim ndeshjen duke krijuar raste dhe duke ndihmuar njëri-tjetrin.

Një sfidë jo si të gjitha të tjerat. Si është atmosfera brenda ekipit dhe a keni pasur biseda me trajnerin Sylvinho?

Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme, por ne duhet të jemi të fokusuar dhe të përqendruar. Normalisht që është ndeshje e madhe, por duhet të jemi si skuadër dhe të dëgjojmë udhëzimet e trajnerit për ta fituar takimin.

Goli i fundit juaj daton në vitin 2023. A ka ndikim zhvendosja juaj në krahun e djathtë për mungesën e golave?

Jo, nuk ndikon pozicioni. Mund të shënoj edhe në krahun e djathtë. Kam folur me trajnerin dhe ai më ka thënë se duhet të jem i përqendruar kur të kem rastet. Dua ta ndihmoj ekipin, qoftë duke shënuar apo duke asistuar. Nuk e kam mendjen vetëm te goli, por te fitorja e skuadrës.

Besoni se do të kualifikohemi?

Kemi shanse të mira, edhe pse kemi ekipe të vështira si Anglia dhe Serbia. Duhet të luftojmë fort deri në fund. Kjo është ndeshja e radhës dhe duam ta fitojmë patjetër.