Arlind Ajeti: Duhet të tregohemi profesionistë dhe të luftojmë fort për tri pikët

Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Arlind Ajeti, ka folur për sfidën e rëndësishme ndaj Serbisë, duke shpjeguar se si po përgatitet ekipi në aspektin emocional dhe sportiv. Ai thekson se ndeshja duhet parë si futboll, duke ruajtur profesionalizmin dhe fokusin tek tri pikët.

Si po përgatitet kjo sfidë në aspektin emocional?

Duhet ta shohim vetëm si ndeshje futbolli. Duhet të jemi profesionistë në çdo aspekt. Shkojmë për të marrë tri pikë, edhe pse ndeshja do të jetë e vështirë në aspektin emocional dhe sportiv.

Serbia ka sulmues të fortë fizikisht. Cilët do të dallonit prej tyre?

Serbia ka futbollistë të mirë në çdo rol dhe shumë cilësi. Edhe në sulm, si Mitrovic, që është shumë i fortë fizikisht, apo edhe Vlahovic, i cili ka pasur ndeshje të mira me Juventusin në muajt e fundit. Do të analizojmë çdo futbollist me kujdes.

Në sfidën e parë mbajtët portën të paprekur. Mendoni se do t’ia dilni sërish?

Do të jetë më e vështirë këtë herë, sepse luajmë jashtë dhe kemi tifozët kundër. Prapëseprapë, do të japim maksimumin, siç e kemi bërë në çdo ndeshje më parë.

Me Gjimshitin jeni shtylla e mbrojtjes, çfarë këshille keni për sulmuesit?

Nuk mund t'u themi ne mbrotësit. Shpresoj që rastet që do t’i kemi t’i shfrytëzojmë. Dhe ne, mbrojtësit, shpresojmë të mbajmë portën të paprekur.