Kolegë të gjyqtarit Kalaja, mos u bëni bashkëpunëtor në vrasje!

Nga Romir Saraçi

Mungesa e sigurisë në gjykata është evidente, madje në braktisje totale, ku edhe ai tek efektiv policie nuk qëndron tek dera për kontrollin e palëve në proces, por kujdeset për parkimin e gjykatës! Por, vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja nuk është për faj të sigurisë.

Edhe nëse siguria do të ishte perfekte, një keqbërës do të kishte gjetur mënyra të tjera për kryerjen e aktit të tij.

Vrasja e gjyqtarit Atsrit Kalaja në thelb, ndodhi për shkak të mungesës së drejtësisë. Për shkak të mosbesimit të qytetarëve ndaj vendeimeve që merr sot drejtësia. Për shkak të zvarritjes së dosjeve, nga zbrazja e gjykatave për motive politike. Për shkak të përdorimit që i bën sot politika drejtësisë, duke e shitur Reformën si histori suksesi me sondazhe të blera, karshillik i hapur ndaj qytetarëve që po ropaten dyerve të gjykatve.

E po aq shkak është fakti, se kryeministri i vendit, njeriu më i fuqishëm në vend, që u investua për kapjen e Drejtësisë, sot del e u bën gjyqin gjyqtarëve, kur nuk i pëlqen vendimi! Ndaj përpara se ti ktheni gjykata si streha paraburgimi të ruajtura nga polici, vendosini kazmën kësaj drejtësie të rrënua, e riktheni besimin e qytetarëve tek këto institucione. Ishte e turpshme, të dëgjoje drejtuesit e institucioneve të drejtësisë që kërkonin “armatosjen e tyre”, në vend që të kërkonin zgjidhje të kolapsit nga ngarkesa, që në thelb i jep zgjidhje qytetarëve. Ndaj të nderuar kolegë të Astrit Kalasë, mos iu drejtoni pushtetit që po ju vret, që të armatoseni për tu mbrojtur nga qytetarët, por ngrihuni në lartësinë që ju jep Republika e Shqipërisë dhe denonconi situatën në të cilën është zhytur Drejtësia. Në të kundërt pranoni që jeni bashkëfajtor në vrasje.