Kosovë/ Kërkohet paraburgim për dy të dyshuarit që u kapën me 40 mijë euro të falsifikuara

Prokuroria Speciale e Kosovës ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj A.TH dhe S.T., nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Falsifikim i parasë” dhe “Shpëlarja e parave”.

Sipas njoftimit, ekziston dyshimi i bazuar se A.TH dhe S.T., në bashkëveprim dhe me qëllim të përftimit pasuror, në një periudhë ende të paverifikuar, kanë siguruar para të gatshme, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara, të gjitha në kartëmonedha me prerje njëzet ( 20 ) eurosh.

Sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale, i dyshuari A.TH. ka pasur rol ndërmjetësues në marrëveshje për shitjen e parave të falsifikuara, ndërsa i dyshuari S.T. ishte personi që i posedonte paratë.

LEXO EDHE: Sekuestrohen 40 mijë euro të falsifikuara, arrestohen dy persona

Gjatë kontrollit, përveç shumës prej rreth 40 mijë eurosh, të gjitha në kartëmonedha prej 20 (njëzet) eurosh, janë sekuestruar edhe:

1 (një) telefon Samsung A35;
1 (një) telefon Samsung A15;
1 (një) telefon Samsung Galaxy A05S;
1(një) Patentë shoferi.

Prokuroria Speciale vlerëson se, duke marrë parasysh peshën e veprave penale, mënyrën dhe rrethanat në të cilat janë kryer ato, si dhe pasojat që dëmtojnë qarkullimin ekonomik dhe tregun financiar, caktimi i paraburgimit në këtë rast është i domosdoshëm, thuhet në njoftim.