Shkëlqeu në 'Art Charm 2025'/ Lupi: Jashtë vendit ndjejmë respekt si artistë, në Shqipëri goditemi me kritika

E ftuar në emisionin “Kafe Shqeto”, Linda Lupi, artiste vizuale, pedagoge dhe moderatore, artistja që shkëlqeu në “Art Charm 2025”, foli mbi eksperiencën e saj ndërkombëtare dhe sfidat që përballin artistët shqiptarë jashtë vendit.

Ajo u shpreh se kishte përfaqësuar Shqipërinë në një organizim ku morën pjesë 30 shtete, në një ambient të hapur dhe me karakter oriental, ku secili artist kishte mundësinë të shprehte lirisht identitetin e tij përmes artit.

Lupi theksoi se, ndonëse arti është një mjet i fuqishëm komunikimi dhe përfaqësimi kulturor, trajtimi i artistëve shqiptarë jashtë vendit nuk është gjithmonë i barabartë me atë që ndodh në Shqipëri. Sipas saj, ndjenja e respektit dhe privilegjit që përjetojnë artistët shqiptarë në vende si Egjipti apo kudo nëpër botë, shpesh mungon brenda vendit, ku kritika dhe mungesa e vlerësimit janë më të pranishme.

Pjesë nga deklarata:

Ne vijmë nga një organizim ku bënin pjesë 30 shtete, ku ne përfaqësuam Shqipërinë, në një vend oriental, ku ishte lehtësisht e dallueshme që çdo artist ishte unik në llojin e tij. Ishim 60 artistë. Interesant ishte vendi ku ne punonim, sepse ishte në natyrë. Gjithsecili zgjidhte të punonte atë që donte të përcillte nga vendi i tij.

Me keqardhje e them që jashtë vendit nuk është i njëjti trajtim si në vendin tonë, pavarësisht se ne, me shumë përgjegjësi dhe privilegj, shkojmë të përfaqësojmë vendin tonë. Duhet të themi realitetin, pavarësisht se arti është një mjet i fortë komunikimi, me të cilin ne mund të shprehim identitetin tonë kombëtar. Më duhet të them që atë privilegj dhe respekt që kemi ndier jo vetëm në Egjipt, por edhe në shtete të tjera, nuk e gjejmë këtu; madje, shpesh goditemi me kritika.

Në Shqipëri jemi kritikë arti dhe i gjithçkaje.