Homazhet për gjyqtarin Kalaja/ Kreu i GJKKO, Bani: Moment reflektimi, kemi kërkuar ambiente të reja e Polici në sallë gjyqi, s’ka pasur reagim!
Kryetari i Gjykatës së Posaçme, Erjkon Bani ishte tejet kritik ndaj institucioneve shtetërore, në deklaratën e bërë për mediat pas homazheve në nder të gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, i cili u ekzekutua të hënën e 6 tetorit brenda sallës së gjyqit me tre plumba nga një qytetar, që ishte palë në procesin gjyqësor që zhvillohej në këtë gjykatë.
Sipas kreut të GJKKO-së, vrasja e gjyqtarit Kalaja duhet të jetë një moment reflektimi për të gjithë, pasi në rast se nuk ekziston siguria në gjykata, atëherë jo vetëm trupa e saj por edhe qytetari do të ndihej i kërcënuar për jetën.
Lidhur me përgjegjësinë për gjithë sa ndodhi në mesditën e 6 tetorit, Bani tha se në mbledhjen e gjyqtarëve të Republikës do të përcaktohet analiza dhe problematikat, të cilat do t’i adresohen institucioneve, për të nxjerrë përgjegjësit kryesore se ku çaloi siguria në Gjykatë e jo vetëm.
Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme ndër vite për ambiente të reja të Gjykatave, Bani tha se nuk është marrë asnjë parasysh, duke shtuar se Policia e Shtetit ka për detyrë në radhë të parë të garantojë sigurinë në sallën e gjyqit.
Është moment reflektimi për të gjithë, nëse s’ezkiston siguria në gjykatë, edhe qytetari ndihet i kërcënuar për jetën. Të gjitha gjykatat duhen ndërtuar nga e para, kërkesat kanë qenë të vazhdueshme për godina të re, ata që kishin përgjegjësi kanë pasur kohë reflektimi për të mos lënë gjykatat në këtë situatë.
Kjo kërkon analizë të thellë dhe pas kësaj që nesër do ketë mbledhje të gjyqtarëve do të nxirren të gjitha analizat e problematikat do adresohen në organet kompetente. Kush s’ka marrë masat, të gjithë të marrin përgjegjësinë. Duhet të nisë nga gjykatat e këshillat, e të kërkojnë një për një llogari për të gjitha institucionet që s’kanë përmbushur detyrën.
KLGJ ka kompetencat dhe përcakton politikat e përgjithshme. Zbatuesit e politikave janë organet e rendit, sallat e gjykimit nga 2010 është me akt, duhet të jetë policia, është fakt, arsyeja se përse nuk janë përcaktuar. Të gjitha do adresohen në mbledhjen e gjytarëve të Repubklikës së Shqipërisë që do të mbahet të enjten, dhe do ketë një reagim për mozbatimin e masave të sigurisë në gjykata.