'Konferenca e Kryetarëve/ Blushi: Kuvendi të mos mblidhet vetëm për procesverbale, por të flasë për hallet e shqiptarëve
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, gjatë fjalës së tij në Konferencën e Kryetarëve, kërkoi zhvillimin e një debati urgjent në seancën plenare të nesërme për atë që e cilësoi si “gjendje alarmante të sigurisë së jetës në vend”.
Blushi theksoi se Kuvendi nuk mund të mblidhet më vetëm për të miratuar procesverbale, ndërsa nënvizoi se akti terrorist i ekzekutimit të gjyqtarit Astrit Kalaja është një “alarm kombëtar për sigurinë e jetës” dhe duhet të kthehet në temë të diskutimeve parlamentare.
Sipas Blushit, krimi i organizuar dhe ai ordiner kanë marrë përmasa shqetësuese, duke e bërë çdo qytetar shqiptar të ndihet i pasigurt dhe i kërcënuar. “Krimi ka marrë yrysh, shqiptarët janë më të pasigurt se kurrë. Sot çdo shqiptar ndihet i kërcënuar nga krimi i organizuar dhe krimi ordiner”, deklaroi Blushi.
Ai e quajti “të turpshme” që Këshilli i Lartë Gjyqësor publikoi paralajmërimet e qeverisë për rrezikun e gjyqtarëve vetëm pas vrasjes së gjyqtarit Kalaja, ndërsa akuzoi institucionet se po reagojnë me vonesë dhe mungesë përgjegjësie përballë një realiteti tragjik.
Deklarata e plotë:
Kuvendi nuk mund të mblidhet vetëm për të miratuar procesverbale.
Akti terrorist i ekzekutimit të gjyqtarit Astrit Kalaja është një alarm kombëtar për sigurinë e jetës, dhe kjo duhet të jetë temë diskutimesh në seancë.
Kuvendi nuk duhet të mjaftohet me një minutë heshtje, por të shndërrojë në temë debati çështjen e sigurisë së jetës.
Krimi ka marrë yrysh, shqiptarët janë më të pasigurt se kurrë. Sot çdo shqiptar ndihet i kërcënuar nga krimi i organizuar dhe ai ordiner.
Vrasja e gjyqtarit është një krim shumë i rëndë që trondit ndërgjegjen kombëtare.
Kuvendi duhet të debatojë për realitetin tragjik ku ndodhet vendi, ku krimi sfidon pa frikë ligjin.
Është e turpshme që KLGJ bën publik paralajmërimet e qeverisë për sigurinë e gjyqtarëve vetëm pasi ndodhi vrasja e gjyqtarit.
Më shumë se kurrë, shqiptarët ndihen të braktisur, të pasigurt dhe të terrorizuar.
Duhet të mblidhemi në seancë për të folur për shqiptarët dhe hallet e tyre, jo për të miratuar procesverbale.