Padia në GJND/ ‘Rast unik’, Meloni: Jam akuzuar së bashku me zyrtarë italianë, për bashkëpunim në gjenocidin e Gazës!

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni thotë se është akuzuar për “bashkëpunim në gjenocid”, në një padi të paraqitur në Gjykatën Ndërkombëtare Penale (ICC), lidhur me mbështetjen e Romës për Izraelin, ndërsa ky i fundit bombardon Gazën.

Meloni e bëri deklaratën gjatë një interviste me kompaninë televizive shtetërore RAI, në komentin e parë publik mbi situatën, i cili nuk është konfirmuar nga gjykata ndërkombëtare.

Meloni tha se Ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto dhe Ministri i Jashtëm Antonio Tajani janë “denoncuar”, duke iu referuar kohës kur gjykata njoftohet zyrtarisht për një krim të mundshëm. Ajo tha se beson që Roberto Cingolani, kreu i kompanisë italiane të armëve dhe hapësirës ajrore Leonardo, mund të jetë përmendur gjithashtu.

Padia, e datës 1 tetor, u nënshkrua nga rreth 50 persona, përfshirë profesorë të drejtësisë, avokatë dhe disa figura publik,e të cilët akuzuan Melonin dhe të tjerë për bashkëpunim duke furnizuar me armë Izraelin, sipas agjencisë së lajmeve AFP.

“Duke mbështetur qeverinë izraelite, veçanërisht përmes furnizimit me armë vdekjeprurëse, qeveria italiane është bërë bashkëpunëtore në gjenocidin e vazhdueshëm dhe në krimet jashtëzakonisht të rënda të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera kundër popullit palestinez”, shkruan autorët e padisë gjyqësore kundër udhëheqësve italianë.

Grupi palestinez i avokimit që qëndron pas ankesës që emëron Melonin po i bën thirrje gjykatës, të vlerësojë mundësinë e hapjes së një hetimi formal mbi akuzën për gjenocid kundër kryeministrit italian, raportoi gjithashtu AFP.

Muajin e kaluar, një Hetim i Pavarur i OKB-së zbuloi se lufta e Izraelit në Gaza është një gjenocid, duke iu shtuar vlerësimeve të ngjashme nga një gamë e gjerë ekspertësh në të drejtat e njeriut, gjenocid dhe të drejtën ndërkombëtare.

Gjykata Penale Ndërkombëtare ka urdhër-arreste në fuqi, për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant, nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza, duke përfshirë urinë, vrasjen dhe persekutimin.

Megjithatë, as Netanyahu dhe as Gallant nuk janë akuzuar konkretisht për gjenocid. 

Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi ​​gjithashtu urdhër-arreste për zyrtarët e Hamasit; megjithatë, të gjithë ata që janë emëruar janë vrarë që atëherë në sulmet izraelite.

«Nuk mendoj se ka një rast tjetër në botë ose në histori, të një ankese të këtij lloji», tha Meloni për ankimin kundër saj në komentet televizive. (VIDEO - Minuta 06.12 - 10.53)

Eksportet e 'armëve të mëdha'

Sipas të dhënave nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI), Italia ishte një nga vetëm tre vendet që eksportoi “armë të mëdha konvencionale” në Izrael nga viti 2020 deri në vitin 2024, megjithëse Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania ishin përgjegjëse për 99 përqind të eksporteve të kategorisë më të madhe të armëve, të cilat përfshijnë avionë, raketa, tanke dhe sisteme të mbrojtjes ajrore.

Armët kryesore që Italia i dha Izraelit në këtë periudhë përfshinin helikopterë të lehtë dhe armë detare, tha SIPRI. Është gjithashtu një nga disa vende të përfshira në prodhimin e pjesëve për avionët luftarakë F-35, në kuadër të një programi të udhëhequr nga SHBA-të, shtoi SIPRI.

“Shqetësimet në lidhje me përdorimin e mundshëm të F-35 nga Izraeli për të kryer shkelje të ligjit ndërkombëtar humanitar kanë çuar në shumë kritika për transferimet e avionit ose pjesëve të tij në Izrael”, tha SIPRI në një raport të kohëve të fundit.

Ministri i Mbrojtjes i Italisë, Guido Crosetto, ka thënë se Italia po dërgon armë në Izrael vetëm sipas kontratave të nënshkruara para 7 tetorit 2023 dhe se Italia ka kërkuar garanci nga Izraeli se armët nuk do të përdoren kundër civilëve në Gaza, pasi zëvendëskryeministri Antonio Tajani kishte pretenduar më parë se Italia e kishte ndaluar plotësisht dërgimin e armëve.

Pranimi i Melonit për padinë kundër saj, vjen në një kohë kur qindra mijëra njerëz kanë dalë në rrugë në protesta masive kundër luftës së Izraelit në Gaza në javët e fundit.

Sindikatat kryesore të punës në Itali i kanë mbështetur në mënyrë aktive protestat. Punëtorët e portit të vendit kanë kërcënuar me greva për shkak se forcat izraelite po pengojnë Flotiljen Globale Sumud të dërgojë ndihma në Gaza.

Pas protestave të mëparshme, qeveria e Melonit dërgoi anije detare për të shoqëruar flotën e anijeve ndërkombëtare, por marina italiane u tërhoq përpara se forcat izraelite të kapnin anijet në ujërat ndërkombëtare dhe të ndalonin afër 500 aktivistë ndërkombëtarë.

Gjashtë anëtarë të ekuipazhit mbetën në paraburgim izraelit që nga e marta, sipas organizatorëve të flotiljes.

Rritja e sfidave ligjore

Ankesat e fundit kundër udhëheqësve italianë i bashkohen një numri në rritje të sfidave ligjore ndaj veprimeve të Izraelit në Gaza, së bashku me çështjen e GJND-së kundër Netanyahut dhe Gallant.

Afrika e Jugut ka ngritur padi kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), duke e akuzuar atë për shkelje të Konventës së OKB-së për Gjenocidin e vitit 1948.

Në prill të këtij viti, GJND-ja vendosi kundër ndjekjes së një çështjeje të ngritur nga Nikaragua, që akuzonte Gjermaninë për ndihmë në gjenocid në Gaza për rolin e saj në shitjen e armëve Izraelit.

SHBA-të, të cilat janë eksportuesi më i madh i armëve në Izrael, nuk janë anëtare të GJPN-së.

Gjithashtu, ajo ka kundërshtuar në mënyrë aktive ngritjen e akuzave nga GJPN-ja kundër Izraelit.

Muajin e kaluar, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, njoftoi se SHBA-të po vendosnin sanksione ndaj tre organizatave palestineze të të drejtave të njeriut, Al-Haq, Qendrës Palestineze për të Drejtat e Njeriut (PCHR) dhe Qendrës Al Mezan për të Drejtat e Njeriut, për angazhimin në përpjekjet për të “hetuar, arrestuar, ndaluar ose ndjekur penalisht shtetasit izraelitë” në GJPN./ Al Jazeera.