'Qeveria vendos ministre të IA-së, por refuzon kandidaten tonë për Bashki', Semanaj: Ne kërkojmë transparencë, jo vendime të fshehura
Inxhinieri i Telekomunikacionit, Besmir Semanaj, nga studioja e “Kafe Shqeto” në mëngjesin e sotëm, ka komentuar iniciativën e tij, së bashku me disa kolegë të fushës për krijimin e një një kandidateje për bashkinë e Tiranës, të bazuar në inteligjencë artificiale, duke theksuar nevojën për transparencë të plotë në përdorimin e teknologjive të reja në institucionet shtetërore.
Sipas Semanajt, qëllimi kryesor i kësaj nisme nuk është vetëm aplikimi i inteligjencës artificiale në vendimmarrje, por vendosja e një standardi të ri për qeverisjen digjitale, me kod të hapur dhe akses publik në çdo proces, në mënyrë që qytetarët, gazetarët dhe ekspertët të mund të ndjekin në kohë reale çdo vendim të marrë mbi bazën e ligjeve të zbërthyera në detaje.
Ai shprehu zhgënjimin për mungesën e reagimit nga institucionet shtetërore, duke theksuar se aktualisht shumë implementime të IA-së janë të mbyllura dhe të paaksesueshme, çka sipas tij, krijon terren për abuzime dhe mungesë llogaridhënieje.
Semanaj i bëri thirrje qeverisë dhe institucioneve të tjera që nëse duan të ndërtojnë besim dhe efikasitet, të hapin kodin dhe proceset e vendimmarrjeve digjitale për publikun.
Pjesë nga deklarata:
"Në përputhje me të vërtetën, kemi qenë në kontakt me KQZ-në, e cila nuk sheh asnjë arsye apo mundësi ligjore që një gjë e tillë të ndodhë.
Nga ana tjetër, u gjet hapësira ligjore që të kemi një ministre të bazuar në inteligjencë artificiale (IA).
Qëllimi kryesor, më shumë sesa kandidimi në vetvete, ishte vendosja e një standardi të ri. Ndryshe nga implementimet e tjera të inteligjencës artificiale pranë institucioneve shtetërore, qofshin edhe në nivel ministrie, të cilat janë të mbyllura për publikun dhe askush nuk e di sesi funksionojnë, nga e marrin informacionin apo sa të drejta dhe të sakta janë vendimet e tyre, kjo do të ishte dhe mund të jetë një platformë 100% transparente, me kod të hapur, ku çdo qytetar, gazetar apo ekspert i fushës, në kohë reale, mund të shohë çdo vendimmarrje, të bazuar në ligje të shpjeguara në detaje.
Kjo është arsyeja kryesore pse i bëjmë thirrje qeverisë dhe institucioneve të tjera: që në momentin kur kemi implementim të inteligjencës artificiale, e cila mund të na ndihmojë shumë të sigurojmë që ajo të jetë transparente.
Sepse, në momentin që nuk është e tillë, ajo mund t’i bëjë edhe më të vështira për t’u kapur abuzimet.
Le të krijohen platforma transparente, ku ne mund të kontribuojmë për përmirësimin e tyre dhe nga ana tjetër, gazetarët dhe qytetarët të kenë mundësi të shohin çfarë ndodh realisht.
Deri tani, nuk kemi pasur ndonjë reagim nga institucionet qeveritare dhe besojmë se ata e shohin më të udhës të kenë diçka të mbyllur, që askush të mos e kuptojë, ta shohë apo ta dijë se çfarë po ndodh pas saj.
Iniciativa jonë nuk është pranuar, ndërkohë që kemi një rast që është pranuar për ministre. E dyta, ne kërkojmë që të jenë të gjithë transparentë me qytetarët dhe të shohim në ditët në vijim se si do të reagojnë institucionet".