Gati i bie të fikët, Djokovic sfidon vapën dhe arrin çerekfinalen në Shanghai
Novak Djokovic edhe një herë ka treguar pse konsiderohet një shembull i vërtetë i qëndrueshmërisë dhe forcës mendore. Pavarësisht kushteve ekstreme të nxehtësisë dhe lagështisë në Shanghai, kampioni serb arriti të siguronte kalimin në çerekfinale të turneut Masters 1000.
Ashtu si në ndeshjen kundër gjermanit Hanfmann, edhe këtë herë “Nole” vuajti shumë nga temperaturat e larta. Pas përfundimit të setit të dytë, ai u duk në kufijtë e të fikëtit dhe madje mori në konsideratë mundësinë e tërheqjes, pasi kishte vjellë. Djokovic kërkoi një ndërhyrje mjekësore, gjatë së cilës iu mat tensioni, përpara se të kthehej në fushë për të përfunduar ndeshjen me vendosmëri të jashtëzakonshme.
Në setin e parë kundër spanjollit Jaume Munar, 24 herë fituesi i Grand Slam-it kishte kërkuar gjithashtu ndihmën e fizioterapistit për një shqetësim në kyçin e këmbës, por as kjo nuk e pengoi të vazhdonte.
Edhe pse dukshëm i lodhur dhe fizikisht i rraskapitur, Djokovic tregoi edhe një herë shpirtin luftarak që e ka bërë të madh në botën e tenisit, duke triumfuar në kushte që për shumë të tjerë do të kishin qenë e pamundur. Ai tashmë do të kërkojë një tjetër sukses në rrugën drejt një tjetër titulli Masters 1000.