Zyrtare/ Sérgio Conceição tek Al Ittihadit, do të ketë nën urdhrat e tij mbrojtësin kuqezi
Sérgio Conceição do të jetë trajneri i ri i Al Ittihadit. Sipas të përditshmes portugeze A Bola, marrëveshja mes trajnerit 50-vjeçar dhe klubit nga Xheda është mbyllur dje, ndërsa zyrtarizimi pritet të bëhet brenda orëve në vijim. Ish-trajneri i Milanit do të zëvendësojë francezin Laurent Blanc, i cili u shkarkua pas humbjes ndaj Al Nassr të Jorge Jesus, pavarësisht se sezonin e kaluar i kishte dhënë skuadrës titullin kampion të Arabisë Saudite.
Në klubin e Al Ittihadit, Conceição do të ribashkohet me disa fytyra të njohura. Ai do të drejtojë sërish Danilon, ish-lojtar i tij te Porto, dhe gjithashtu Roger Fernandes, që më parë ishte pjesë e SC Braga, pa harruar mbrojtësin kuqezi Mario Mitaj. Për më tepër, trajneri portugez do të rikthehet përballë një rivali të vjetër, Jorge Jesus, me të cilin është ndeshur shpesh gjatë viteve në futbollin portugez.
Skuadra e Al Ittihadit ka në përbërje emra të tjerë të mëdhenj si Fabinho, N’Golo Kanté, Moussa Diaby, Steven Bergëijn dhe Karim Benzema, ndërsa objektivi është i qartë: rikthimi në majat e kampionatit saudit dhe suksesi në arenën aziatike.
Për Conceiçãon, ky është një kapitull i ri në karrierën e tij. Pas një periudhe të shkurtër te Milani, ku fitoi Superkupën e Italisë, por e mbylli sezonin në vendin e tetë dhe humbi finalen e Kupës ndaj Bolonjës, ai vendos të provojë për herë të parë një aventurë jashtë Evropës. Deri më tani, pjesa më e rëndësishme e karrierës së tij ishte qëndrimi shtatëvjeçar te Porto, ku fitoi disa tituj dhe u bë një figurë simbol e klubit.
Debutimi i Sérgio Conceiçãot në stolin e Al Ittihadit është parashikuar për datën 17 tetor, në ndeshjen kundër Al Fayha, që pritet të shënojë fillimin e një etape të re për trajnerin energjik portugez në futbollin saudit.