Si u bë Paraguai një bastion i konservatorizmit në Amerikën Latine

Paraguai priti për herë të parë në mesin e shtatorit Konferencën e Veprimit Politik Konservator (CPAC), një tubim i së djathtës globale. Të pranishëm ishin anëtarë të rrethit të ngushtë të presidentit amerikan Donald Trump, përfshirë këshilltarin e tij afatgjatë për politikën e jashtme, Richard Grenell, si dhe presidentin Javier Milei të Argjentinës.

Presidenti paraguaian, Santiago Peña, mbajti një fjalim, ku konfirmoi afrimin në rritje të administratës së partisë së tij Colorado me lëvizjen globale ultrakonservatore. Ai theksoi se do ta mbrojë para botës kundërshtimin e tij ndaj "abortit të lirë", "ideve alternative të familjes" dhe "eksperimenteve sociale radikale".

Paraguai është vendi i Amerikës Latine që përputhet më fort me politikën e jashtme të administratës Trump. Është një nga vetëm 12 vendet në botë, dhe i vetmi në Amerikën e Jugut, që ruan marrëdhënie diplomatike me Tajvanin. Në dhjetor 2024, ai zhvendosi ambasadën e vet në Izrael, nga Tel Avivi në Jerusalem, veprim që Trump e kishte njohur zyrtarisht si kryeqytet të Izraelit në vitin 2017, pavarësisht kritikave ndërkombëtare. 

Në votimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në qershor dhe shtator, Paraguai u bashkua me vetëm dhjetë vende që votuan me SHBA-në dhe Izraelin kundër një armëpushimi në Gaza. Ai votoi gjithashtu kundër një zgjidhjeje me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez.

Më pas, krahas SHBA-së, Izraelit, Naurut dhe Palaus, Paraguai votoi kundër vendimit për t'i lejuar udhëheqësit të Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas, të mbajë fjalim përmes video-linkut në sesionin e 80-të të Asamblesë së Përgjithshme, pasi administrata Trump nuk u dha viza zyrtarëve palestinezë për të hyrë në SHBA.

SHBA-ja gjithashtu ka nënshkruar një marrëveshje me Paraguain për të deleguar disa kërkesa për azil. Marrëveshja e quajtur Vendi i Tretë i Sigurt do t'i lejojë SHBA-së që kërkesat për azilantë tashmë në territorin e saj të përpunohen në Paraguai. Detajet mbeten të paqarta: nuk dihet kush do t'i mbulojë kostot dhe nëse Paraguai do të jetë i detyruar të strehojë përkohësisht emigrantët në rast refuzimi të vizës.

Po ashtu, SHBA ka njoftuar krijimin e një baze të përbashkët kundër terrorizmit në kryeqytetin paraguajan, Asunción, me një degë operacionale në Ciudad del Este, qytet në kufi me Brazilin. Synimi është të luftohet terrorizmi ndërkombëtar, krimi i organizuar dhe pastrimi i parave.

Kjo përputhje me politikën e jashtme të Trump-it është shoqëruar me lidhje gjithnjë e më të ngushta me lëvizjet ekstreme të djathta në Amerikë dhe Europë. Në qershor, Paraguai priti takimin e katërt vjetor të Foro de Madrid, një grupim ndërkombëtar i lidhur me Vox, partinë e djathtë spanjolle. Udhëheqësi i Vox-it, Santiago Abascal, mori pjesë dhe e quajti qeverinë paraguaiane "një aleate të madhe". 

Qëndrimi i qeverisë paraguaiane udhëhiqet nga dy figura kyçe të partisë Colorado, Raúl Latorre, kryetar i dhomës së ulët të Kongresit, dhe Gustavo Leite, ambasadori i sapoemëruar i Paraguait në SHBA. Të dy janë kandidatë të mundshëm për të zëvendësuar Peña-n në vitin 2028.

Të vendosur kundër feminizmit, abortit dhe martesave të homoseksualëve, ata theksojnë vazhdimisht se Paraguai është një "ishull i konservatorizmit". Ata kundërshtojnë gjithashtu atë që e quajnë ndikim subversiv të OJQ-ve të huaja, të cilat hyjnë në vend nën pretekstin e bashkëpunimit për zhvillim.

Në janar, Latorre mori pjesë në një takim në Bruksel të grupit ekstrem të djathtë Patriots for Europe, që përfshin deputetë të Parlamentit Europian. Muajin pasues, ai foli në një CPAC në Uashington, ku mori pjesë edhe Trump. Në një CPAC në Budapest disa muaj më vonë, Latorre dhe Leite dënuan Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së, BE-në dhe "globalistët" si Bill Gates dhe George Soros.

Në ceremoninë formale të dorëzimit të kredencialeve në Shtëpinë e Bardhë me 5 shtator, Leite u fotografua me Trump-induke mbajtur një kapele "Make America Great Again". Për të fituar përkrahjen e presidentit amerikan, ai shprehu vendosmërinë për të ndaluar "përpjekjet e paligjshme të Kinës për të ndryshuar njohjen diplomatike aktuale të Tajvanit duke financuar politikanët e opozitës në Paraguai".

Tradita konservatore politike

Tradita e gjatë e djathtë e Paraguait e ka lehtësuar këtë përputhje politike. Në vitin 1887, kolonë gjermanë themeluan një koloni në veri të Paraguait të quajtur Nueva Germania, e frymëzuar nga idealet e një race ariane superiore.

Dega e parë e Partisë Kombëtare Socialiste Gjermane (Partia Naziste) në Amerikën Latine u themelua në Paraguai në 1929. Deri në 1939, svastikat naziste dhe portretet e Adolf Hitlerit shfaqeshin hapur në shkolla dhe biznese gjermane në Asunción dhe në kolonitë menonite të rajonit të largët Chaco në perëndim.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, fraksioni Frente de Guerra i oficerëve pro-fashistë të ushtrisë dhe policisë ushtroi ndikim të fortë mbi qeverinë paraguaiane, në aleancë me lëvizjen konservatore katolike Tiempista.

Kjo traditë ekstremiste u forcua gjatë regjimit brutal të Alfredo Stroessner-it, bir i një emigranti gjerman, që sundoi nga 1954 deri më 1989. Ai ishte aleat i fortë i Afrikës së Jugut të aparteidit dhe gjithashtu e bëri Paraguain strehë për nazistët që iknin nga Europa. Ata u tërhoqën nga anti-komunizmi i ashpër i Stroessner-it dhe u mbrojtën nga tradita e gjatë e emigracionit gjerman. 

Këta përfshinin Josef Mengelen, mjekun famëkeq të kampit të përqendrimit të Aushvitzit, të cilit iu dha amësia paraguajane në vitin 1959 me emrin e tij të vërtetë. Mijëra figura më pak të njohura të SS-së dhe Gestapos emigruan në kolonitë menonite dhe komunitetet gjermane të vendit.

Partia Colorado, përmes së cilës sundonte Stroessner, vazhdon të dominojë politikën paraguaiane dhe ende i bën nderime simbolike kujtimit të tij.

Ka edhe një arsye më praktike për afërsinë e Paraguait me Trump-it. Në korrik 2022, gjatë presidencës së Joe Biden-it, Departamenti i Shtetit i SHBA-së e shpalli ish-presidentin paraguaian Horacio Cartes (2013–2018) "person sensitiv për korrupsion të rëndësishëm". U përmendën lidhjet e tij të dyshuara me krimin ndërkombëtar, pastrimin e parave dhe terrorizmin ndërkombëtar.

Cartes është njeriu më i pasur në Paraguai. Ai financon partinë Colorado dhe zgjodhi personalisht Peña-n për presidencë, që ky t'i shërbente interesave të tij. SHBA forcoi sanksionet ndaj perandorisë së tij të biznesit në gusht 2024, duke e detyruar të shesë Tabacalera del Este (Tabesa), një kompani e akuzuar shpesh për kontrabandë cigaresh në të gjithë kontinentin amerikan.

Që nga kthimi i Trump-it në pushtet në janar 2025, Cartes po bën gjithçka për të fituar përkrahjen e administratës amerikane në mënyrë që t'i hiqen sanksionet. / The Conversation - Syri.net