VIDEO/ Vrasja e gjyqtarit, Çollaku: Një atentat ndaj reformës në drejtësi, të gjitha reagimet e institucioneve u shkruan nga Rama

Gazetari Basir Çollaku i ftuar në studion e emisionit ‘Task Force’ me Sonila Meçon në SYRI TV, ka komentuar vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit dhe reagimet e mëpasshme.     

‘Ky është një atentat ndaj reformës në drejtësi, ndaj prodhimit 10 vjeçar të Sorosit. Shteti 30 vjeçar ra sepse në 2015 vendin e mori në dorë shteti 10 vjeçar i Edi Ramës,’ deklaroi Çollaku.

Ai shtoi se ky proces kishte pasoja të dukshme tek komisionet e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

‘Ku janë sot anëtarët e Komisioneve të rivlerësimit të pavarurit që sakatuan drejtësinë. 90% e të larguarve janë me bindje të djathta dhe shumica nga veriu. Kjo është regji e kryeministrit me këto Adamsat që vijnë këtu, me Soros e kompani.’

Çollaku theksoi se ish-reformatorët e institucioneve janë sot pjesë e strukturave të qeverisë.

‘Ku i kemi këta reformatorët e mëdhenj të këtyre institucioneve? Janë deputetë të PS, drejtorë të mëdhenj të PS, janë të gjithë në tepsinë e Ramës. Rrëmbyen dhe grabitën edhe Gjykatën Kushtetuese.’

Ai kritikoi gjithashtu operacionet e OMN-së, duke i konsideruar ato të pafrytshme dhe të lidhura me mbikëqyrjen e vettingut.

‘Këta të OMN-së që vijnë e bëjnë orgjira këtu dhe lenë kalamajt pas. Një kompani kanalizimesh që mbikëqyrte vettingun.’, tha Çollaku.

Gazetari Basir Çollaku nuk la pa përmendur dhe rolin e policisë dhe Ministrisë së Brendshme në këto ngjarje:

‘Çthotë kjo roja e duhanit, që del e thotë se policia nuk ka përgjegjësi në këtë histori? Po çfarë do ruajë policia, Medelinin, kartelet që gjezdisin nëpër Shqipëri. KLGJ reagoi duke thënë se, kërkesat tona të përsëritura në drejtim të Ministrisë së Brendshme dhe policisë. Se si do rrijë në detyrë ministri i Brendshëm dhe drejtori i policisë vetëm këta e dinë.’

Ai e krahasoi situatën në vend me ngjarje të huaja.

‘Një aksident hekurudhe ndodhi në Greqi dhe ministri dha dorëheqjen. Këta nuk i lënë të largohen nga zyra, ky është problemi.’

Sipas tij, Ministria e Brendshme ka manipuluar informacionin publik dhe nuk ka garantuar pavarësinë e institucioneve.

‘Ministrja e Brendshme mashtroi kur tha se, policia nuk ka përgjegjësi. Të gjithë mesazhet e shpërndara nga institucionet, i ka bërë Rama dhe i ka shpërndarë me mesazh dhe këta i kanë lexuar. Mos mendo se ata kanë mendim të pavarur për të folur ndryshe nga kryeministri.’