'Vrasja e gjyqtarit ka marrë përmasa ndërkombëtare'/ Gjoni: Shteti ka rënë, gjyqtarët në ankth të jashtëzakonshëm

Pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në ambientet e Gjykatës së Apelit, deputeti demokrat Gjin Gjoni e cilësoi këtë akt si një goditje të rëndë ndaj themeleve të shtetit. I ftuar në emisionin “TASK FORCE” në Syri TV, ai theksoi se ngjarja është e pazakontë dhe se raste të tilla nuk janë parë as në vendet e njohura për kriminalitet, si Meksika dhe Kolumbia.

“Shteti ka rënë, sepse është goditur themeli i tij – shteti ligjor, gjyqësori dhe drejtësia. Prandaj kjo ngjarje ka marrë përmasa përtej Shqipërisë, duke u reflektuar në mediat ndërkombëtare,” u shpreh Gjoni.

Ai theksoi se gjyqtarët sot janë në një ankth të jashtëzakonshëm dhe se reagimet negative në rrjete sociale nuk lidhen me personin e gjyqtarit, por me reformën në drejtësi.

Deputeti solli në vëmendje edhe problematika të tjera që po prekin qytetarët, si çështja e pronave dhe legalizimet. “Problemi i pronave është një nga më tragjikomikët në Shqipëri, sepse legjislacioni ka ndryshime të herëpashershme dhe qytetarët nuk marrin pronat as pas 20 vjetësh. Po ashtu, edhe legalizimet mbeten një plagë e hapur,” tha ai.

Gjoni:

Ngjarja është e pazakontë dhe të them të drejtën as në Meksikë dhe Kolumbi gjyqtarët nuk janë vrarë në sallat e gjyqeve.

Në pikëpamjen time, shteti ka rënë sepse është goditur themeli i një shteti i cili është çështja e shtetit ligjor, gjyqësorit dhe drejtësisë dhe në këtë pikëpamje unë them se ngjarja prandaj ka marrë përmasa përtej Shqipërisë dhe sot po t’i shohësh të gjitha mediat ndërkombëtare janë fokusuar në lidhje me këtë ngjarje.

Pa dyshim që gjyqtarët sot janë në një ankth të jashtëzakonshëm.

Është rënie e shtetit, e para që ndodh në zyrat e shtetit dhe godet njerëzit e shtetit.

Reagimet negative në rrjet nuk vijnë për shkak të gjyqtarit apo për shkak të personit Astrit Kalaja, këto reagime vijnë për shkak të reformës në drejtësi.

Edhe një problem tjetër të cilin sot e diskutuam edhe në disa komisione ku isha pjesë.

Problemi i pronave është një nga problemet më tragjikomike në Shqipëri për një arsye shumë të thjeshtë, sepse problemet në lidhje me legjislacionin e pronave kanë ndryshime të herëpashershme dhe po t’i referohesh legjislacionit që është në fuqi, as pas 20 vjetëve nuk kanë marrë pronën.

I dyti është problemi i legalizimeve.