Pse reagimi negativ ndaj Taylor Swift është tashmë në kulmin e tij

Albumi i 12-të i Taylor Swift, The Life of a Showgirl, vetëm një javë pas publikimit, ka ndezur një valë reagimesh të ashpra mes fansave të saj. Ndonëse disa e kanë cilësuar si një nga veprat më të mira të saj, një pjesë e konsiderueshme e Swifties ndihen të zhgënjyer nga përmbajtja dhe sidomos nga mënyra se si po promovohet albumi.

Me 12 këngë të reja, projekti ka ndarë opinionet. Euronews Culture e ka quajtur albumin një zhgënjim, duke kritikuar tekstet e dobëta dhe vetë-mitologjizimin e tepruar. Por më shumë sesa muzika, janë praktikat e marketingut që kanë nxitur kritika të shumta. Vetëm 24 orë pas publikimit, Swift njoftoi disa variante të ndryshme të albumit me kopertina dhe përmbajtje ekskluzive, duke bërë që shumë fansa ta akuzojnë për qasje “jashtëzakonisht kapitaliste”.

Në rrjetet sociale, kritikat janë ashpërsuar. “Kjo është një nga praktikat më të neveritshme dhe anti-artistike që një artist mund të bëjë,” shkruan një fans në një cicërimë virale. Një tjetër shton: “Dikur mjaftonte një version luksoz me disa këngë shtesë. Tani duhet të blejmë katër albume të veçanta? Thjesht mashtrim për më shumë para.”

Ndërkohë, përdorimi i videove të gjeneruara nga inteligjenca artificiale për promovimin e albumit ka shtuar polemikat. Kritikët e quajtën ironike faktin që Swift, e cila më parë ishte shprehur kundër përdorimit të IA për imazhet e saj, po e përdor atë për fushata marketingu.

Megjithatë, Swift mbetet e mbrojtur nga një bazë fansash besnikë, të cilët vazhdojnë ta mbështesin pavarësisht kritikave. “Ka gjëra më të rëndësishme që po ndodhin në botë. Kjo nuk është drama që duhet të na shqetësojë,” shkruan një tjetër fans në mbrojtje të saj.

Përkundër zhurmës dhe akuzave për “lakmi”, duket se Taylor Swift vazhdon të konfirmojë epitetin “shumë e madhe për të dështuar” – një status që, të paktën për momentin, e mbron nga pasojat e plota të revoltës së fansave.