U ekzekutua nga killeri venezuelian/ 'Qoti' nga Lezha, dyshohet se ishte ndërmjetës i trafikut nga Amerika Latine në Evropë
Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen makabre të Artur Tushit, 44-vjeçarit shqiptar i ekzekutuar me 11 plumba pranë banesës së tij në Medellín, Kolumbi. Sipas autoriteteve lokale, autori i dyshuar është një shtetas venezuelian 35-vjeç, i cili u arrestua vetëm 19 kilometra larg vendngjarjes. Policia kolumbiane konfirmoi se vrasësi ishte një killer me pagesë, dhe se kishte marrë shpërblimin në dollarë amerikanë, duke përforcuar dyshimet se vrasja lidhet me konflikte kriminale ndërkombëtare.
Artur Tushi, i njohur ndryshe me nofkën “Qoti”, ishte me origjinë nga fshati Raboshtë në Lezhë dhe kishte një histori të errët në prapaskenë. Në vitin 2017, ndërsa jetonte dhe punonte në Itali, ai ishte rrëmbyer në zonën e Fushë-Milotit, ku u ndalua nga persona të panjohur, iu vendos një qese në kokë dhe u mbajt peng për disa orë. Nga ai incident iu vodhën 200 mijë lekë, ndërsa autoritetet shqiptare nuk gjetën lidhje të drejtpërdrejta të tij me ndonjë aktivitet kriminal në vend.
Megjithatë, hetimet e thelluara të autoriteteve kolumbiane, në bashkëpunim me Interpol-in, kanë zbuluar se Tushi rezultonte me precedentë penalë në disa shtete, përfshirë Ekuadorin dhe Spanjën, të lidhura me dhunë fizike dhe posedim lëndësh narkotike.
Pista kryesore e hetimit për vrasjen e tij është përfshirja në rrjetet ndërkombëtare të trafikut të drogës, ku dyshohet se Tushi kishte një rol aktiv si ndërmjetës apo drejtues operacionales mes Amerikës Latine dhe Evropës. Ekzekutimi i tij ka tronditur opinionin publik dhe ka sjellë edhe një herë në vëmendje përfshirjen e shtetasve shqiptarë në rrjetet e krimit të organizuar ndërkombëtar.
Hetimet vazhdojnë, ndërkohë që autoritetet janë duke bashkëpunuar me agjencitë partnere për të zbardhur plotësisht prapaskenat e kësaj ngjarjeje të rëndë.