PD: Thellohet skandali në Bashkinë Tropojë, 'të fortët' e Edi Ramës sfidojnë për herë të dytë vendimin e KPP-së
Zëdhënësja e Antikorrupsionit në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli, në një deklaratë për mediat, u shpreh se situata në Bashkinë e Tropojës është një shembull flagrant i kapjes së institucioneve nga pushteti lokal dhe i mungesës totale të respektit për ligjin dhe vendimet e organeve rregullatore.
Sipas Vangjelit, nën drejtimin e përkohshëm të Zyra Islamaj, e cila tashmë ndodhet nën hetim nga SPAK për procedurat e tenderimit, Bashkia ka sfiduar hapur vendimet e Komisionit të Prokurimit Publik (KPP), duke treguar se zyrtarët lokalë të mbështetur nga qeveria e Edi Ramës ndihen të paprekshëm përballë ligjit dhe mekanizmave të kontrollit.
Vangjeli theksoi se pavarësisht urdhërimeve të KPP-së për rivlerësimin e procedurës së tenderit për ndërtimin e rrugës Auto Kika - Gj. Dragobisë – Qafë Paje, Bashkia ka vazhduar të mbajë në fuqi skualifikimin e operatorit me ofertën më të ulët, duke sfiduar në mënyrë të hapur vendimin e komisionit dhe duke dëmtuar interesin publik.
Deklarata e plotë për media:
Bashkia Tropojë, nën drejtimin e përkohshëm të Znj. Zyra Islamaj – tashmë e marrë zyrtarisht si e pandehur nga SPAK për procedura tenderimi – ka sfiduar hapur vendimet e Komisionit të Prokurimit Publik (KPP).
Pas vendimit të parë të KPP-së të datës 3 shtator 2025, i cili urdhëronte Bashkinë Tropojë të rivlerësonte procedurën e tenderit me objekt “Ndërtim i rrugës Auto Kika – Gj. Dragobisë – Qafë Paje”, me fond limit 82.9 milionë lekë, KPP është detyruar të ndërhyjë sërish me një vendim të dytë më datë 23 shtator 2025, duke ndaluar autoritetin kontraktor të vijonte me procedurën dhe duke urdhëruar rivlerësim sipas përcaktimeve të vendimit të marrë nga ky komision.
Megjithatë, në kundërshtim të hapur me këtë vendim detyrues, më 3 tetor 2025, Bashkia Tropojë ka përsëritur të njëjtin standart, duke lënë në fuqi skualifikimin e operatorit me ofertën më të ulët – pikërisht atë operator mbështetur në ankesën e të cilit KPP kishte konstatuar shkelje në veprimet e bashkisë.
Ky akt përbën një sfidë të hapur ndaj KPP-së, dhe organeve të drejtësisë, dhe tregon se si zyrtarët lokalë të mbështetur nga qeveria e Edi Ramës ndihen të paprekshëm përballë ligjit.
Partia Demokratike kërkon me urgjencë që të zbatohen menjëherë dhe në mënyrë rigoroze vendimet e KPP-së, duke respektuar rendin hierarkik të parashikuar nga Ligji për Prokurimet Publike dhe të penalizohen zyrtarët që kanë shpërdoruar detyrën duke dëmtuar interesin publik dhe qytetarët.
FOTO GALERI: