‘U vra me togën e gjyqtarit veshur’/ Thirrja e Gjykatës së Tiranës: Ndalni nxitjen e gjuhës së urrejtjes ndaj trupës gjyqësore!

‘U vra me togën e  gjyqtarit veshur dhe në krye të detyrë’. Kështu e nis reagimin Gjykata e  Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë,  pas humbjes së gjyqtarit Astrit Kalaja të hënën e 6 tetorit në Gjykatën e Apelit.

Duke kërkuar marrjen e menjëhershme të masave konkrete institucionale, për garantimin e sigurisë së gjyqtarëve dhe familjeve të tyre, në të gjitha shkallët e sistemit gjyqësor, Gjykata e Tiranës thekson se  pa respekt dhe mbrojtje reale të gjyqtarëve, nuk mund të ketë drejtësi të pavarur, shtet ligjor dhe besim të qytetarëve në drejtësi.

E indinjuar nga sulmi i një magjistrati brenda institucionit të drejtësisë, Gjykata e Apaelit bëri thirrje për përgjegjshmëri publike të gjithë aktorëve institucionalë, politikë dhe mediatikë, që të ndalojnë nxitjen e gjuhës së urrejtjes ndaj trupës gjyqësore. 

‘Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë siguron të gjithë publikun se, komunikimi armiqësor dhe sulmet fizike nuk do të mundin të frikësojnë gjyqtarët në Republikën e Shqipërisë, të cilët do të vazhdojnë të punojnë me përkushtim për t’i shërbyer publikut, duke i ofruar drejtësi, për të cilën dha jetën e tij, në krye të detyrës gjyqtari, babai, familjari e njeriu i mirë, kolegu ynë i paharruar Astrit Kalaja’, thuhet në përmbyllje të reagimit të Gjykatës së Tiranës.
 

GJYKATA E SHKALLËS SË PARË TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM

DEKLARATË


Trupa Gjyqësore pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ndihet e tronditur për humbjen e jetës së një Kolegu të nderuar, në krye të detyrës, pas një sulmi me armë zjarri teksa mbante veshur togën e Gjyqtarit.

Ai ushtronte funksionin e tij fisnik të Gjyqtarit të Republikës prej tre dekadash, me shumë profesionalizëm dhe dinjitet.

Me hidhërim të thellë shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes së gjyqtarit që e ndërpreu rrugëtimin e tij, teksa punonte dhe kontribuonte pa frikë dhe pa asnjë lloj mbrojtje për shtetin e së drejtës.

Solidarizohemi me gjithë trupën gjykuese në Republikën e Shqipërisë, në këtë ditë zie, jo vetëm për sistemin e drejtësisë, por për vetë shoqërinë shqiptare.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë kërkon marrjen e menjëhershme të masave konkrete institucionale, për garantimin e sigurisë së gjyqtarëve dhe familjeve të tyre, në të gjitha shkallët e sistemit gjyqësor.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë u bën thirrje për përgjegjshmëri publike të gjithëve aktorëve institucionalë, politikë dhe mediatikë, që të ndalojnë nxitjen e gjuhës së urrejtjes  ndaj trupës gjyqësore. 

Pa respekt dhe mbrojtje reale të gjyqtarëve, nuk mund të ketë drejtësi të pavarur, shtet ligjor dhe besim të qytetarëve në drejtësi.

Në nderim të kolegut tonë të ndjerë, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë do të vijojë të kërkojë me forcë respektimin, mbrojtjen dhe dinjitetin e çdo gjyqtari, që shërben me integritet për drejtësinë dhe shoqërinë.

Gjithashtu, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë siguron të gjithë publikun se, komunikimi armiqësor dhe sulmet fizike nuk do të mundin të frikësojnë gjyqtarët në Republikën e Shqipërisë, të cilët do të vazhdojnë të punojnë me përkushtim për t’i shërbyer publikut, duke i ofruar drejtësi, për të cilën dha jetën e tij, në krye të detyrës gjyqtari, babai, familjari e njeriu i mirë, kolegu ynë i paharruar Astrit Kalaja.

Trupa gjyqësore pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Tiranë, datë 7 Tetor 2025.