Berisha: Përdorimi i drejtësisë si armë politike nga narkoshteti është kriminalizimi dhe dështimi i saj më i madh që Ramaduro i ka bërë këtij sistemi

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë në sallën e gjyqit ku u ekzekutua gjyqtari Astrit Kalaja, duke theksuar se akti kriminal është pasojë e një sistemi drejtësie të kapur dhe të degraduar nga korrupsioni.

Berisha u shpreh se përdorimi i drejtësisë si armë politike nga “narkoshteti” përbën kriminalizimin dhe dështimin më të madh që qeveria “Ramaduro” i ka bërë këtij sistemi.

Ai theksoi se korrupsioni i ka pushtuar të gjitha hallkat e drejtësisë dhe se qytetarët shqiptarë sot përballen me ryshfet, gjoba dhe zhvatje të hapura për të marrë drejtësi në gjykata.

Duke dënuar ashpër ekzekutimin e gjyqtarit Kalaja, Berisha tha se ky akt makabër është një pasqyrë e degradimit të sistemit të drejtësisë në vend dhe e krizës së thellë morale e institucionale që po kalon vendi.

Pjesë nga deklarata:

Duke theksuar përsëri se asgjë nuk përligj krimin horror, ekzekutimin e gjykatësit në sallën e gjyqit, por askush nuk mund të mohojë se ai krim makabër dëshmon për shkallën e tmerrshme të korrupsionit të gjithanshëm që ka pushtuar vendin, dhe në rastin konkret, sistemin e drejtësisë, siç faktohet kjo nga organizatat prestigjioze ndërkombëtare.

Sot ryshfeti dhe gjoba për qytetarin shqiptar në sistemin e drejtësisë është shumëfishuar krahasuar kjo me çdo kohë para saj.

Qytetarët shqiptarë duhet të paguajnë qimet e kokës vetëm e vetëm për të mundur me afrue shqyrtimin e dosjes së tyre nga gjykata.

Pale pastaj për vendimin.

Sot, dosjet e prokurorëve dhe gjykatësve janë objekt falsifikimesh, manipulimesh, zhdukjesh dokumentesh, krimi flagrant pra, absolutisht njëlloj si në kohën kur ato administroheshin nga hetuesit e sigurimit të shtetit apo gjykatat popullore të diktaturës.

Së fundmi theksoj se asgjë nuk përligj absolutisht asgjë, marrjen e jetës së një njeriut, aq më tepër të një gjykatësi në drejtësi, por përdorimi i drejtësisë si armë politike nga narkoshteti është kriminalizimi dhe dështimi i saj më i madh që Ramaduro i ka bërë këtij sistemi.

Kurrë ndonjëherë drejtësia jonë nuk ka qenë në gjendje dramatike që është sot.