Berisha: Ekzekutimi i gjykatësit Kalaja dëshmon dështimin e plotë të reformës së drejtësisë nga Sorosi dhe sorosianët e tjerë
Gjatë konferencës me gazetarët, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në sallën e gjyqit, ku u vra gjykatësi Astrit Kalaja, ka shprehur shqetësimin e thellë për pasojat që, sipas tij, ka prodhuar reforma në drejtësi.
Duke e cilësuar vrasjen e gjykatësit si një simbol të triumfit të vetëgjyqësisë mbi sistemin ligjor, Berisha theksoi se askush nuk ka të ardhme në një shoqëri ku drejtësia zëvendësohet me dhunë. Ai shtoi se kjo ngjarje e rëndë është një dëshmi e dështimit të plotë të reformës në drejtësi, e iniciuar dhe mbështetur nga Xhorxh Soros dhe "sorosianët", e cila, sipas tij, ka degraduar sistemin përmes një vettingu të korruptuar dhe ka zhytur vendin në një krizë të thellë ligjore dhe institucionale.
Berisha paralajmëroi se stoku i dosjeve në pritje, mungesa e gjyqtarëve dhe vonesat e theksuara në proceset gjyqësore janë duke shtuar ndjeshëm rastet e vetëgjyqësisë në vend, duke e çuar sistemin në një pikë të rrezikshme pa kthim.
Fjala e tij:
Tani, do rikthehem përsëri tek reagimet, duke shtuar përsëri se vrasja e drejtësisë është triumfi i vetëgjyqësisë, në të cilën askush nuk ka të ardhme.
Por me këtë rast theksoj se ekzekutimi i gjykatësit Kalaja në sallën e gjyqit, njëlloj sikur të ishte në shesh apo rrugë të qytetit, dëshmon gjithashtu dështimin e plotë të reformës së sistemit të drejtësisë nga Xhorxh Soros dhe sorosianët e tjerë, të bazuar kjo në korrupsionin më të madh kombëtar dhe ndërkombëtar, reformës që de facto privoi qytetarët shqiptarë nga një proces i drejtë ligjor, di asnjëherë në tërë historinë e tyre, si asnjëherë në historinë e Europës pas luftës.
Me vetingun gjueti shtrigash, të bazuar në korrupsionin gjysmë dhe 1 milion euro pagesa në Shqipëri, sot për shkak të vakuumit që solli ky proces është krijuar një stok prej 230 mijë dosje.
Sot, qytetarët shqiptarë, që para reformës së Xhorxh Sorosit, duhet të prisnin dy gjer në 4 vite për një vendim gjyqësor, sipas të dhënave zyrtare të sotme, duhet të presin 4 deri në 6 herë më shumë apo mbi 15 vite.
Stoku i dosjeve për t’u shqyrtuar kërkon sipas ekspertëve rreth 20 vite.
Rasti i djeshëm është rasti më dramatik i vetëgjyqësisë, por e vërteta është se rastet e vetëgjyqësisë për shkak të këtij sistemi të falimentuar, po shtohen çdo ditë.