Liverpool, Bayern, Real e Barcelona, të gjithë të çmendur për mbrojtësin anglez
E ardhmja e Marc Guehi pritet të jetë një nga temat më të nxehta të merkatos së ardhshme. Mbrojtësi i Crystal Palace ishte shumë pranë transferimit te Liverpooli gjatë verës, aq sa kishte kryer edhe vizitat mjekësore, por klubi londinez e bllokoi marrëveshjen në momentet e fundit pasi nuk arriti të gjente një zëvendësues.
Megjithatë, gjithçka tregon se ndarja është e pashmangshme. Nëse transferimi nuk realizohet në janar, ai do të ndodhë pothuajse me siguri në qershor, kur Guehi pritet të largohet përfundimisht nga Palace.
Kontrata e 25-vjeçarit skadon në 2026, ndaj shumë klube të mëdha evropiane po ndjekin nga afër situatën e tij. Përveç Liverpoolit, që mbetet ende i interesuar pas dështimit të verës, në garë janë futur edhe Bayern Munich, Real Madrid dhe Barcelona, të cilat e shohin mbrojtësin anglez si një përforcim ideal për repartin defensiv.
Guehi ka qenë një nga lojtarët më të qëndrueshëm në Premier League gjatë dy sezoneve të fundit dhe, me zhvillimin e tij të vazhdueshëm, është bërë pjesë e rregullt e kombëtares angleze, duke e rritur edhe më shumë vlerën e tij në treg.