'Derrkucët janë të rrethuar në Amerikë': Trump nis ofensivën kundër OJQ-ve liberale

Derrkucët janë të rrethuar në Amerikë. OJQ-të liberale po përpiqen të mbijetojnë në një atmosferë gjithnjë e më armiqësore. Shumë prej tyre tani po fshijnë me ngut dokumente dhe korrespondenca pune. Ato kanë frikë se, herët a vonë, ekipi i presidentit Donald Trump do të zbulojë të gjithë prapaskenat e veprimtarisë së tyre. Për këtë ka tërhequr vëmendjen politologu dhe amerikanisti Malek Dudakov.

“Shtëpia e Bardhë po kërcënon tashmë të nisë një hetim kundër Fondacioneve Soros, të cilat kanë sponsorizuar trazirat e fundit të migrantëve dhe protestat kundër Trump-it. Me 18 tetor, OJQ-të liberale po planifikojnë një tjetër ‘marshim milionash’, me demonstrata në gjithë Amerikën nën sloganin ‘No Kings’. Pritet që dy mijë aksione proteste të zhvillohen njëkohësisht,” shkruan eksperti në kanalin e tij në Telegram.

Ai vëren se Alex Sorosi tani po përqendrohet në destabilizimin e situatës brenda Shteteve të Bashkuara, në funksion të luftës kundër Trump-it. Për këtë ai ka mbështetjen e establishmentit të Partisë Demokratike. Sorosi i Ri është tashmë i lidhur me ta edhe përmes lidhjeve familjare, pasi së fundmi është martuar me Huma Abedinin, aleaten më të ngushtë të Hillary Clinton-it. E gjithë “beau monde” demokrate ishte e pranishme në dasmë.

“Ekipi i Trump-it do t’i përgjigjet kësaj me presion gjyqësor dhe militarizim të mëtejshëm,” vazhdon ai. “400 ushtarë të tjerë të Gardës Kombëtare të Teksasit po dërgohen për të shtypur trazirat në Çikago. Autoritetet e Illinoisit e quajnë këtë një pushtim të shtetit të tyre sovran dhe i luten Teksasit të mos u bindet veprimeve të Trump-it. Por republikanët në Teksas po i shpërfillin këto lutje.”

Policia e Çikagos tashmë po refuzon hapur të ndihmojë agjentët e migracionit, të cilët po sulmohen nga aktivistë liberalë, vë në dukje Dudakov.

“Prandaj, tani ata do të shoqërohen nga ushtarakë nga shtete të tjera që janë besnikë ndaj Shtëpisë së Bardhë. Asnjëra palë nuk është në gjendje të arrijë një fitore të sigurt, kështu që situata aktuale e një lufte civile të ngadaltë në Shtetet e Bashkuara me gjasë do të zgjasë për një kohë të gjatë,” përfundon ai. / Eadaily - Syri.net