'Ç’mund të bëjë një pensionist me 15 lekë në ditë'- Jorida Tabaku: Qeveria ka dështuar të garantojë një jetë dinjitoze për të moshuarit
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur sot shqetësimin për situatën e pensionistëve në Shqipëri, duke e cilësuar skemën aktuale të pensioneve si “piramidale” dhe të dështuar.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku thekson se Tetori është muaji i pensionistëve, por për 750 mijë qytetarë që jetojnë me pensione të ulëta, ky muaj nuk sjell asnjë përmirësim real.
“Sot, një e treta e popullsisë shqiptare është në moshë pensioni, numri më i lartë në gjithë historinë e tranzicionit,” u shpreh Tabaku.
Ajo theksoi se rritja simbolike e pensioneve me vetëm 500 lekë në muaj, ose 15 lekë në ditë, është një tallje me dinjitetin e të moshuarve:
“Ç’mund të bëjë një pensionist me 15 lekë në ditë? As kafen e ditës nuk e paguan dot.”
Deputetja demokrate shtoi se, ndonëse qeveria e justifikon këtë me indeksimin sipas inflacionit, realiteti është se çmimet e shportës ushqimore janë rritur deri në 30%, duke lënë pensionistët në mëshirën e varfërisë.
“Sa herë që ka nevojë për votën e tyre, qeveria u jep një bonus. Por sa herë që duhet t’u rritë pensionet, dështon,” deklaroi Tabaku.
Ajo paralajmëroi se kjo situatë po e çon Shqipërinë drejt një krize demografike të thellë, ku popullsia plaket dhe të rinjtë largohen, ndërsa shteti dështojnë të garantojë siguri ekonomike për brezat në moshë të tretë.