Pamjet filmike, Elvis Shkambi qëllon nga afër gjyqtarin/ Një plumb bëri rikoshet, hyri në kompjuterin e sekretares
Nga Elton Qyno - Syri
Momente të rënda kanë arritur të regjistrojnë kamerat e sallës së gjykimit në Gjykatën e Apelit, që dje u kthye në një skemë krimi.
Imazhe tronditëse që nëse do shfaqeshin në publik do drithëronin këdo që do i shihte. Gazetari Elton Qyno ka mësuar se Astrit Kalaja, është qëlluar teksa ndodhej në këmbë duke lexuar vendimin përfundimtar “NË EMER TË REPUBLIKËS” për një çështje kundërshtim të veprimeve përmbarimore.
Në pamjet filmike të regjistruara nga kamera e brendshme e sallës së gjykimit, Elvis Shkambi, dukshëm shfaqet duke mbushur armën dhe më pas ashtu siç ishte në këmbë qëllon në drejtim të gjyqtarit që lexonte vendimin.
Plot 4 të shtëna arme të ardhura me intensitet, kanë sjellë vdekje e menjëhershme të gjyqtarit, Astrit Kalasë. Pamjet filmike tregojnë se sekretarja e gjyqtarit, Kalaja, “Xhuli” ka shpëtuar mrekullisht nga plumbat.
Njëri nga plumbat ka bërë rrikoshet dhe është kthyer drejt kompjuterit të sekretares, duke e lënë atë të dëmtuar.
Situata e rëndë e zhvilluar në atë seancë gjyqësore është filmuar e gjitha nga kamerat. Ndërkohë kamerat e tjera të instaluara në korridor kanë parë një grumbull njerëzit që vrapojnë dhe fshihen, nga frika e një sulmi të dytë me armë.
Autori Elvis Shkambi dhe xhaxhai i tij Gjon Shkambi, pas masakrës të realizuar në sallën e gjyqit, kanë dalë në korridorin e gjykatës.
Njëri prej tyre duket që ndez një cigare dhe të dy së bashku largohen qetësisht në dalje të gjykatës.
Ata janë arrestuar nga policia në derën fundore të daljes së gjykatës. Ku pas marrjes në pyetje, Elvis Shkambi nuk ka shfaqur pendesë.
Fillimisht në vendngjarje u shfaqën prokurorët e SPAK pas të dhënave se ngjarja mund të ishte organizuar nga një “Grup Kriminal”.
Por pas sqarimit të rrethanave dhe motiveve të ngjarjes, aktualisht dosja tashmë po hetohet nga prokuroria e Tiranës, e cila ka kompetencën për këtë ngjarje.
Pas hetimeve të kryera gjatë mbrëmjes së djeshme,policia e Tiranës, i ka komunikuar arrestimin Elvis dhe Gjon Shkambit, të cilit i akuzon për veprën penale të “Vrasjes për shkak të rrethanave cilësuese” ndaj gjyqtarit Astrit Kalaja, “Vrasjes me paramendim” mbetur në tentativë ndaj dy personave të tjerë babë e bir, dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve”.
Mes personave të arrestuar për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” është dhe punonjësi i sigurisë në perimetrin e brendshëm të Gjykatës së Apelit Tiranë.