‘Çdo ekip mund ta mposhtë Barcelonën’, Toni Kroos paralajmëron për dobësitë e skuadrës së Hansi Flick-ut

Toni Kroos, ish-mesfushor i Gjermanisë dhe ish-‘yll’ i Real Madridit, ka vlerësuar stilin e lojës së Barcelonës nën drejtimin e Hansi Flick, por njëkohësisht ka paralajmëruar për rreziqet që, sipas tij, mund ta bëjnë skuadrën katalanase të rrëshqasë në momentet vendimtare.

Në podcastin e tij “Einfach mal Luppen”, Kroos tha:

“Barcelona ka një nga stilet më tërheqëse të lojës në Europë, ndoshta më tërheqësin nga të gjithë, por marrin shumë rreziqe. Në një ditë jo të mirë për Pedrin, Lamin Yamalin apo Raphinha-n, çdo skuadër mund t’i bëjë dëm dhe madje t’i mposhtë. Mund të eliminohen nga Champions-i.”

Gjermani kujtoi se diçka e ngjashme ndodhi edhe sezonin e kaluar:

“Vitin e kaluar kjo iu ndodhi me Interin dhe këtë vit, qoftë në fazën e 1/8-ve, çerekfinale, gjysmëfinale apo edhe në finale, në një moment do të përballen me një kundërshtar që do t’i ndëshkojë. Kjo do të ndodhë në Champions League, jo në La Liga, sepse aty janë shumë dominues.”

Kroos theksoi gjithashtu se Barcelona pëson rënie të ndjeshme fizike në minutat e fundit të ndeshjeve:

“Pas minutës së 75-të vihet re qartë lodhja. Nuk ndryshojnë stilin e lojës për të mbyllur hapësirat dhe kjo i bën shumë të ekspozuar. Kur je i lodhur dhe nuk përshtatesh, dobësitë bëhen shumë të dukshme.”

Megjithë kritikat, Kroos pranoi se projekti i Flick ka sjellë një identitet të fortë sulmues, por sipas tij, në arenën ndërkombëtare kjo qasje kërkon edhe më shumë pragmatizëm në fazat vendimtare.