Qerimaj pa rezultat në Botëror, kuqezinjtë larg podiumit në peshën 79 kg

Në Kampionatin Botëror të peshëngritjes që po zhvillohet në Forde të Norvegjisë, Shqipëria u përfaqësua edhe nga shtangisti shkodran Erkand Qerimaj, i cili garoi në Baterinë B të peshës 79 kg. Para tij kishte konkurruar edhe Briken Calja në Baterinë C.

Pritshmëritë për një paraqitje solide nuk u përmbushën, pasi Qerimaj nuk arriti të realizojë një dygarësh të vlefshëm. Ai mbylli garën me vetëm një provë të suksesshme nga gjashtë në total. Në stilin e shkëputjes, realizoi me sukses vetëm provën e tretë, duke ngritur 150 kilogramë, pasi kishte dështuar më parë në 149 dhe 150 kg.

Në stilin e shtytjes, performanca e tij ishte edhe më e dobët, pasi nuk arriti të ngrejë asnjërën nga tri përpjekjet (180 kg dhe dy herë 182 kg), duke mbetur pa rezultat përfundimtar në dygarësh.

As rezultatet e Briken Cales, i cili regjistroi 328 kg në total, nuk ishin në nivelin e pritshmërive. Kuqezinjtë mbetën shumë larg elitës botërore, pasi shifrat e podiumit në këtë kategori arritën deri në 360-361 kilogramë.