Kapet në Foggia një nga mafiozët më të kërkuar të Italisë, i arratisur prej pesë vitesh
Nga Alba Kepi - Syri
Një nga figurat më të kërkuara të mafies italiane, Leonardo Gesualdo, 39 vjeç, u arrestua në orët e para të mëngjesit gjatë një operacioni të posaçëm të karabinierëve të njësisë GIS në periferi të Foggias.
Gesualdo, i njohur si pjesëtar i rëndësishëm i “Shoqatës Foggiane”, ishte në arrati që nga viti 2020 dhe kishte një dënim në shkallën e parë prej 12 vitesh burg për “pjesëmarrje në organizatë mafioze”.
Operacioni u zhvillua nën koordinimin e Drejtorisë së Distriktit Antimafia të Barit, të drejtuar nga prokurori Roberto Rossi, pas hetimeve disa mujore nga Komanda Provinciale e Foggias.
Hetuesit arritën të përcaktonin me saktësi strehën ku fshihej Gesualdo, duke i dhënë fund arratisë pesëvjeçare të mafiozit.
Gjatë ndërhyrjes, forcat speciale e zunë në befasi në gjumë, ndërsa hyrja e ndërtesës u shkatërrua me shpërthime të kontrolluara. Ai u dorëzua pa rezistencë, edhe pse në momentin e arrestimit kishte me vete një pistoletë me numër serial të fshirë dhe karikator me gjashtë fishekë.
Sipas autoriteteve italiane, kapja e Gesualdos është një ndër goditjet më të rëndësishme të këtij viti kundër mafies Foggiane, një organizatë e njohur për trafik droge, zhvatje dhe dhunë mafioze në jug të Italisë.