Pas largimit të Milinkoviç, Partizani ia beson stolin një emri të njohur brenda klubit

Mladen Milinkoviç nuk është më trajneri i Partizanit. Klubi i kuq ka vendosur të mbyllë bashkëpunimin me teknikun serb, një vendim që ishte paralajmëruar prej disa ditësh nga “Panorama Sport”.

Derisa të caktohet trajneri i ri, drejtimin e përkohshëm të skuadrës do ta marrë Oltijon Kërnaja. Ai është pjesë e familjes së kuqe që prej korrikut, kur mori drejtimin e Partizanit B pas largimit të Renaldo Kalarit.

Kërnaja ka bërë një nisje mjaft pozitive me ekipin B në Kategorinë e Dytë. Në dy ndeshjet e para të sezonit, skuadra e tij ka marrë dy fitore radhazi: fillimisht ndaj Igëll dhe më pas në transfertë kundër Tomorit, duke treguar potencial për të marrë përgjegjësi më të mëdha.