Zbulohet rrjeti kriminal italo-shqiptaro-maroken/ Mes 8 të arrestuarve, shqiptari i dyshuar si autor i atentatit ndaj sipërmarrësit italian
Nga Alba Kepi - Syri
Një operacion i madh policor i zhvilluar nga Prokuroria e Republikës së Breshas, Itali, ka çuar në arrestimin e tetë personave mes tyre dhe një shqiptar dhe në 23 kontrolle të tjera në disa provinca të Italisë Veriore.
Hetimet zbuluan një rrjet kriminal të organizuar që merrej me tentativë vrasjeje, trafik droge dhe mashtrime fiskale.
Sipas njoftimit zyrtar, shtetasi shqiptar me precedent penal është autori i dyshuar kryesor i tentativës së vrasjes së sipërmarrësit italian, Angelo Ferrandi më 1 mars 2024, në qytetin Montichiari (Brescia).
Viktima u qëllua me tetë plumba, nga të cilët gjashtë e goditën në këmbë, duar dhe bark, ndërsa shpëtoi vetëm pas një ndërhyrjeje të gjatë spitalore.
Sipas hetimeve, atentati është kryer në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar dhe në porosi të palëve të treta, për shkak të një borxhi të madh financiar që viktima nuk kishte shlyer.
Hetuesit kanë zbuluar se i dyshuari shqiptar kishte lidhje direkte me një agjent të policisë bashkiake të Desenzano del Garda, i cili rezulton të jetë promotori dhe organizatori i një grupi kriminal të përbërë nga një sipërmarrës italian dhe disa shtetas marokenë. Ky grup, sipas prokurorisë, ishte aktiv në trafikun e kokainës në zonën e Breshas.
Mashtrime fiskale dhe struktura të tjera kriminale
Në të njëjtin operacion, Guardia di Finanza ka zbuluar dy struktura të tjera kriminale, të përfshira në mashtrime tatimore dhe përdorimin e faturave për transaksione të rreme, me një vlerë që kalon 450 mijë euro.
Edhe këtu rezulton i përfshirë i njëjti agjent i policisë, i cili vepronte si ndërmjetës për të siguruar dokumente fiskale të rreme në bashkëpunim me kompani të kontrolluara nga persona me precedentë penalë.
Operacioni u shtri në shtatë provincia italiane: Brescia, Milano, Bergamo, Verona, Mantova, Ferrara dhe Rovigo, duke përfshirë njësi speciale, qen “cash dog” për kontrollin e parave, dhe njësi NAS për kontrolle mbi substanca anabolizuese (doping).