Incident në Oktoberfest/ Leroy Sané provokohet dhe përfshihet në një përleshje
Një mbrëmje e pakëndshme për Leroy Sané në Munih. Ish-‘ylli’ i Bayern-it dhe Manchester City, aktualisht pjesë e Galatasaray-t, u kthye në Bavari për të marrë pjesë në festimet tradicionale të Oktoberfest, por prania e tij nuk u prit mirë nga disa tifozë vendas.
Sipas raportimeve të gazetës gjermane ‘Bild’, Sané u bë objekt i fyerjeve dhe provokimeve nga disa të pranishëm, të cilët e sulmuan verbalisht atë dhe klubin e tij të tanishëm me thirrje fyese si “Scheiss-Gala!” (“Galatasaray m...!”). Situata degjeneroi kur një grup tifozësh e shtyu futbollistin, duke shkaktuar një përleshje të shkurtër.
Vetë Sané e ka konfirmuar incidentin për ‘Bild’:
“U provokova dhe u ofendova personalisht për një kohë të gjatë brenda tendës, dhe po ashtu u fye edhe klubi im, Galatasaray. Në atë atmosferë të tensionuar u shtyva dhe shpërtheu një përplasje e shkurtër. Duhej të isha treguar më i qetë dhe ta lija të kalonte, është një mësim që do ta mbaj mend.”
Futbollisti 29-vjeçar, që ka lënë një kujtim të fortë te tifozët bavarezë për periudhën e tij te Bayerni, u përpoq të kalonte fundjavën në mënyrë paqësore, por incidenti e ktheu vizitën e tij në një episod të hidhur. Autoritetet lokale po hetojnë rrethanat e ngjarjes, ndërsa Sané ka bërë thirrje për respekt dhe sportivitet.