Juventusi ndjek Tonalin, takim në Milano mes mesfushorit dhe menaxherit të tij

Sandro Tonali është rikthyer në Itali, për momentin vetëm për detyrat me kombëtaren, por emri i tij ka nisur sërish të lidhet me një rikthim të mundshëm në Serie A. Mesfushori i Newcastle, i cili ndodhet në grumbullim me Italinë për ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës 2026 kundër Estonisë dhe Izraelit, është takuar dje në Milano me menaxherin e tij, Beppe Riso.

Sipas Goal.com, takimi ka shërbyer për të bërë një vlerësim të situatës aktuale dhe për të diskutuar edhe mbi të ardhmen e mundshme të lojtarit. Në këtë kuadër, nuk mungojnë interesimet nga Serie A, mbi të gjitha nga Juventusi i Igor Tudor, që e ka ndjekur me vëmendje mesfushorin italian prej kohësh.

Tonali, i lindur në vitin 2000, ishte një nga transferimet më të bujshme të verës së vitit 2023, kur u largua nga Milani për t’u bashkuar me Newcastle për një shumë rreth 65 milionë euro, duke firmosur një kontratë deri në vitin 2028 me pagë që arrin 9 milionë euro përfshirë bonuset.

Pavarësisht se ndihet mirë në Premier League, lojtari nuk e ka fshehur dëshirën për një rikthim në Itali në të ardhmen, ndërsa një kalim te Juventusi mbetet një mundësi reale, megjithëse jo për afatin e janarit, pasi vlera e lartë e kartonit e bën transferimin më të mundshëm në verën e ardhshme.

Situata mbetet për t’u ndjekur me kujdes, pasi “Zonja e Vjetër” e sheh Tonalin si një përforcim strategjik për mesfushën në planin afatgjatë.