Dy vite nga sulmet e 7 Tetorit, Izraeli dhe Hamasi ulen ne tryezën e bisedimeve për paqen në Gaza

Sot shënohen dy vite nga 7 tetori 2023, dita kur Hamasi kreu një nga sulmet më të përgjakshme në historinë moderne të Izraelit, duke nisur një “spirale” dhune që vazhdon ende.

Rreth 6,000 luftëtarë të Hamasit kaluan kufirin nga Gaza në Izraelin jugor dhe nisën sulmet e tyre në festivalit muzikor “Supernova”. Pamjet e masakrës u transmetuan drejtpërdrejt në rrjetet sociale, ndërsa mbi 1,200 civilë izraelitë u vranë dhe më shumë se 250 të tjerë u morën peng dhe u dërguan në Gaza.

Vetëm disa orë më pas, Izraeli nisi bombardimet ndaj Rripit të Gazës, duke shpallur një fushatë ushtarake pa precedent. Lufta nuk mbeti vetëm brenda kufijve të Izraelit dhe Gazës. Përleshjet u përhapën edhe në vende të tjera të rajonit si Libani, Siria, Jemeni, Irani dhe Katari, duke e shndërruar konfliktin në një krizë të re rajonale me përmasa globale.

Sipas të dhënave të fundit, mbi 66,000 palestinezë janë vrarë gjatë një viti luftimesh, përfshirë 20,000 fëmijë, ndërsa më shumë se 167,000 janë plagosur dhe 2 milionë të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Pas dy vitesh luftë, negociatat e paqes kanë rifilluar me ndërmjetësimin e SHBA-së dhe një marrëveshje e mundshme 20-pikëshe midis Donald Trump dhe Benjamin Netanyahu është hedhur në tryezë.

Por mbetet e paqartë nëse ajo do të zbatohet. Palestinezët kanë shprehur shqetësimin se marrëveshja është e njëanshme dhe nuk garanton të drejtat e tyre themelore, ndërsa komuniteti ndërkombëtar është gjithnjë e më i ndarë mbi mënyrën se si duhet të mbyllet ky konflikt

Delegacionet e tyre në Sharm El-Sheikh po shqyrtojnë planin e paqes të Donald Trump, teksa Hamasi ka rënë dakord për disa, por jo për të gjitha kushtet, raporton BBC.

Trump u tha gazetarëve të hënën: “Kemi një shans vërtet të mirë për të arritur një marrëveshje dhe do të jetë një marrëveshje e qëndrueshme”.

Ndërkohë, po mbahen aktivitete për të shënuar dy vjetorin e sulmeve të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, në të cilat u vranë rreth 1,200 persona dhe 251 të tjerë u morën peng.