'Ulëritëse'/ Vishaj: Sot Republika ka mbaruar! Kjo reformë ishte vrastare
I ftuar në emisionin “Çim Peka Live”, avokati Saimir Vishaj foli mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur sot në Gjykatën e Apelit Tiranë, ku humbi jetën gjyqtari Astrit Kalaja. Ai u shpreh se kjo nuk është thjesht një ngjarje e rëndë, por një akt ulëritës që tregon kolapsin e reformës në drejtësi dhe mungesën totale të sigurisë në institucionet e shtetit.
Sipas Vishajt, gjyqtari Kalaja u vra jo vetëm fizikisht, por simbolikisht, në emër të një reforme të dështuar që ka krijuar kaos institucional dhe ka vendosur sistemin në shërbim të politikës.
“Sot Republika ka vdekur,” – tha ai, duke akuzuar se armën që vrau gjyqtarin e kanë “shkrepur shumë duar”, nga ekzekutivi te strukturat e drejtësisë që kanë heshtur përballë degradimit të sistemit.
Pjesë nga deklarata:
Këtë nuk mund ta quaj rast të rëndë. Kjo është ulëritëse, sepse një vendim i një gjyqtari që ishte në momentin e shpalljes së vendimit jepet në emër të Republikës, dhe sot Republika ka vdekur. Ajo reformë në drejtësi, që ne e kemi konsideruar dhe kemi ngritur zërin si avokatë më shpejt për vendimmarrjen e saj, tregoi se kjo reformë ishte vrastare. Ky gjyqtar u vra sot në emër të reformës në drejtësi, sepse në emër të reformës në drejtësi u transferua nga Gjykata e Apelit Shkodër në Gjykatën e Apelit Tiranë.
Ku dihet, me një numër të kufizuar, gjykojnë për gjithë Shqipërinë. Ne, avokatët, ishim kundër hartës gjyqësore dhe kjo hartë sot tregoi dhe njëherë për vonesat që lidhen me vendimmarrjen. Duke parë si popull, çdo moment del kryeministri dhe përgojon gjyqtarët – çfarë mund të presësh nga një individ, kur vetë shteti, gjyqtari me emër, jo në mënyrë institucionale, tregojnë që gjendja është tejet alarmante?
Ky lajm ka bërë bujë në mënyrë ndërkombëtare dhe e pasqyruan qartë ngjarjen. Fundi i kësaj reforme të dhimbshme u mbyll jashtëzakonisht rëndë me vrasjen e një gjyqtari. Krimi nuk pyet, të godet – dhe godet afër Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë apo Komisariatit nr. 1. Imagjino një gjykatë që ka në dorë shumë çështje dhe nuk ka asnjë mbrojtje apo siguri. Sot, në gjykatat shqiptare, prokurori apo edhe institucionet nuk kanë siguri.