Autoritetet lokale ndalojnë protestën pro-palestineze në Bolonjë

Autoritetet në Bolonjë kanë vendosur të ndalojnë një demonstratë pro-palestineze të planifikuar për nesër, duke përmendur rrezikun e trazirave pas ditëve të protestave dhe përleshjeve me policinë në të gjithë Italinë.

Grupi Giovanni Palestinesi (Rinia Palestineze) kishte bërë thirrje për tubime në Bolonjë dhe Torino për të shënuar përvjetorin e dytë të sulmit të militantëve të Hamasit në jug të Izraelit, i cili la pas 1,200 të vrarë dhe shkaktoi hakmarrjen izraelite në Gaza me mbi 66,000 viktima.

“Demonstratat do të jenë absolutisht të ndaluara”, deklaroi zyrtari lokal Enrico Ricci. Autoritetet shprehen të shqetësuara për përleshje të mundshme, pas shpërthimeve të dhunës në Romë gjatë fundjavës.

Megjithatë, të rinjtë palestinezë thanë se do të përpiqeshin të mblidheshin pavarësisht ndalimit, sipas raportimeve të agjencisë Reuters.

Ministria e Jashtme izraelite deklaroi se ambasadori i Izraelit në Itali, Jonathan Peled, protestoi kundër iniciativave “që lavdërojnë masakrën e 7 tetorit” dhe bashkëpunoi me autoritetet italiane për të ndaluar ngjarjen.

Protestat në Itali kanë qenë të gjera; qindra mijëra njerëz marshuan në qendër të Romës të shtunën, në ditën e katërt të protestave që pas ndalimit të një flotiljeje ndërkombëtare për Gaza dhe arrestimit të aktivistëve të saj nga autoritetet izraelite.