'Kanë dështuar të gjitha hallkat'/ Vrasja e gjyqtarit Kalaja, Buzhala: Ministri i Drejtësisë duhej të jepte dorëheqjen
Gazetari Berat Buzhala, i ftuar në emisionin “Çim Peka LIVE” në Syri TV, komentoi vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit. Ai e cilësoi ngjarjen një akt të rëndë, që nxjerr zbuluar krizën e thellë të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
Buzhala theksoi se në botë ka shumë pak vende ku ndodhin sulme të tilla ndaj gjyqtarëve, duke përmendur si shembull Meksikën dhe vendet e Amerikës Latine, ku kryesisht kartelët e drogës godasin organet e drejtësisë. Sipas tij, rasti i fundit në Shqipëri tregon lëngimin e shtetit përballë mënyrave brutale të kryerjes së krimeve.
Ai u ndal edhe te pasojat politike dhe morale të ngjarjes, duke thënë se një vend që synon Bashkimin Europian nuk mund të tolerojë që palët të jenë aq të karikuara, sa dikush të futet me armë brenda gjykatës. “Është një fotografi e shëmtuar, Shqipëria ka për thembrën e Akilit çështjen e pronës,” u shpreh Buzhala.
Gazetari kritikoi edhe reagimin e institucioneve, duke thënë se komunikatat e Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Brendshme dukeshin sikur ishin bërë për një ngjarje në Amerikë ose Britani të Madhe, e jo në vendin e tyre. Ai shtoi se ministri i Drejtësisë duhej të kishte dhënë dorëheqjen qysh në momentin e marrjes së detyrës.
“Jo vetëm se ka përgjegjësi direkte, por edhe përgjegjësi morale. Si ministër i Brendshëm, kur të vritet një gjyqtar, do të thotë që hallkat e sigurisë kanë dështuar,” u shpreh Buzhala, duke e quajtur reagimin e institucioneve një “non sens” në raport me ngjarjen.
Buzhala:
Me një klikim në internet mund të shohësh se ka shumë pak vende të botës ku vriten gjyqtarë, është ndoshta kryesisht Meksikë, në vende të Amerikës Latine, ndoshta kryesisht kartelet e drogës, ku ndoshta sulmohen organet e drejtësisë.
Është një rast… Shqipëria lëngon shumë prej kësaj, domethënë prej mënyrave të kryerjes së krimeve sepse ky ishte personi që po e lexonte vendimin.
Është e dhimbshme, me një vend që aspiron, ose që është pak vite larg Bashkimit Europian, që palët të jenë aq të karikuara për rastin saqë dikush të futet me revole, sepse ai kur ka shkuar atje, ai ka shkuar me paramendim, e ka ditur, pak a shumë ia ka marrë mendja çfarë vendimi do të merret.
Është një fotografi e shëmtuar, pajtohem me Shkullakun, Shqipëria thembra e Akilit ka pronën.
Komunikata që e pashë prej ministrit të Drejtësisë e ministrit të Punëve të Brendshme, dukeshin si komunikata që bëhen me dënu dhunën diku në Amerikë, ose një akt terrorist që ka ndodhur në Britani të Madhe ose në Gjermani dhe jo në vendin e tyre.
Me një lloj distance pra, e vinin veten në një palë tjetër, dhe po e dënonin një rast, jo me marrë përsipër, domethënë normalisht ministri i Drejtësisë duhej të jepte dorëheqjen, minimumi, do duhej me dhënë dorëheqje pa e marrë detyrën, patjetër sepse nuk ke arritur me i mbrojt…
Jo vetëm se ke përgjegjësi direkte, por sepse ke përgjegjësi morale minimumi, është akt moral, domethënë si ministër i Brendshëm me t’u vrarë një gjyqtar, ty të kanë dështuar hallkat për t’i dhënë siguri atyre.
Po këto vetëm e kanë dënuar aktin, që për mua është non sens i llojit të vet.