Dy vjet luftë: Në Izrael përkujtim për viktimat e 7 tetorit, në Gaza mosbesim dhe në Egjipt negociata
Në Egjipt kanë nisur negociatat që mund t’i japin fund luftës në Gaza, ku delegacionet e Izraelit dhe Hamasit, përmes ndërmjetësve, po diskutojnë planin 20-pikësh të Presidentit amerikan Donald Trump. Kreu i Shtëpisë së Bardhë është shprehur optimist se marrëveshja mund të arrihet brenda pak ditësh.
Bisedimet po zhvillohen në Sharm el-Sheikh, në brigjet e Detit të Kuq, ndërsa mbi Gazë vijojnë bombardimet dhe tymi ngrihet mbi rrënoja. Në Izrael, ndërkohë, u mbajtën përkujtimore për viktimat e 7 tetorit, sulm i Hamasit që ndezi luftën e përgjakshme.
Si hap i parë, Hamasi ka pranuar lirimin e 48 pengjeve izraelite që ka mbajtur për dy vjet, prej të cilëve vetëm 20 janë ende gjallë. Në këmbim, Izraeli do të lirojë 250 palestinezë me burgim të përjetshëm dhe 1,700 të ndaluar pas 7 tetorit, si dhe do të shpërndajë ndihma humanitare.
Banorët e Izraelit dhe palestinezët shprehen të përzier mes shpresës dhe dyshimit. “Ky do të jetë fundi i një kapitulli shumë të errët në historinë e vendit tonë”, tha izraeliti Eitan Gross, ndërsa bashkëkombësja e tij, Tali Lieberman, shtoi se është “optimiste me kujdes” për kthimin e pengjeve. Nga ana tjetër, palestinezët frikësohen se marrëveshja mund të dështojë, pas dy vitesh lufte ku mbi 67,000 njerëz kanë humbur jetën.
Presidenti Trump paralajmëroi Hamasin se nëse nuk dorëzon pushtetin në Gaza, “do të fshihet nga faqja e dheut”. Ai shtoi se vendet arabe kanë zhvilluar bisedime “të shkëlqyera” me Hamasin dhe se shumë shpejt do të shihet nëse marrëveshja do të funksionojë.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse të dyja palët do të bien dakord për hapat afatgjatë dhe çfarë presioni do të ushtrojë Uashingtoni për t’i zbatuar ato.