'Skandal i paprecedentë i sigurisë'/ Bushkolaj: Zvarritja e drejtësisë solli bilancin tragjik me një të vrarë dhe dy të plagosur

Pas ngjarjes tronditëse në Gjykatën e Apelit, ku gjyqtari Astrit Kalaja mbeti i vrarë gjatë ushtrimit të detyrës, gazetari Elkier Bushkolaj në emisionin “Task Forcë” të Syri TV u shpreh se bëhet fjalë për një ngjarje të paprecedentë në historinë e drejtësisë shqiptare.

“Është një ngjarje shumë e rëndë, është hera e parë që një gjyqtar ekzekutohet në sallën e gjyqit,” tha Bushkolaj, duke theksuar se rrënjët e kësaj tragjedie duhen kërkuar që në vitin 1992, kur me vendim të Bashkisë së Shkodrës, 31 familje u vendosën në konviktin e një shkolle të mesme në lagjen “Skënderbeg”.

Bushkolaj kujtoi se për atë objekt familja Shkambi ka pretenduar pronësinë prej më shumë se tre dekadash, duke hapur një konflikt të gjatë me përfaqësuesit e 31 familjeve të strehuara. “Ky konflikt ka mbërritur edhe në dyert e gjykatave. Një vendim i shkallës së parë, sipas Shkambit, i kishte dhënë atij të drejtë, por zvarritja e çështjeve gjyqësore na ka sjellë deri këtu, me një bilanc tragjik: një i vrarë dhe dy të plagosur,” u shpreh gazetari.

Sipas tij, vendimi i Apelit u pasua nga tragjedia e sotme, ku një 30-vjeçar, nipi i Gjon Shkambit – personi i përfshirë në përplasjen ligjore me autoritetet – hyri i armatosur në gjykatë dhe kreu krimin.

Bushkolaj ngriti dyshime të forta mbi sigurinë në institucione të tilla: “Është e paqartë sesi autori ka arritur të futet në gjykatë me pistoletë, duke kaluar të gjitha kontrollet. Kjo përbën një skandal të paprecedentë, për të cilin patjetër duhet një hetim.”

Ai shtoi se rrethanat e ngjarjes bëhen edhe më të rënda në klimën aktuale politike, ku sipas tij, “kryeministri i vendit sulmon dhe etiketon gjyqtarë e prokurorë për çështje që lidhen me pronësinë, duke e bërë sistemin e drejtësisë edhe më të ekspozuar ndaj dhunës.”

Bushkolaj:

Është ngjarje shumë e rëndë, është hera e parë që një gjyqtar ekzekutohet në sallën e gjyqit.

Sot është një ngjarje e rëndë e cila, për hir të së vërtetës, zanafillën e ka që në vitin 1992, ku me vendim të bashkisë së Shkodrës, 31 familje u vendosën në konviktin e një shkolle të mesme në lagjen ‘Skënderbeg’ të Shkodrës.

Për këtë shkollë të mesme, familja Shkambi pretendonte pronësinë, dhe prej asaj kohe nis një konflikt mes pjesëtarëve të familjes Shkambi dhe përfaqësuesve të 31 familjeve që ishin të detyruar të jetonin në atë godinë për shkak të pamundësisë.

Ky konflikt ka mbërritur edhe në dyert e gjykatave, një gjykatë e shkallës së parë, pretendon Shkambi se i ka dhënë të drejtë atij sa i përket pronësisë së objektit, por zvarritja e çështjeve gjyqësore na ka mbërritur deri në këtë pikë ku ne sot kemi një bilanc tragjik për një të vrarë dhe dy të plagosur.

Kjo është një histori e trajtuar nga shumë media sepse ka qenë një njeri që ka kërkuar disa herë ndihmën e mediave me pretendimin se i është bërë një padrejtësi institucionale.

Vendimi i Apelit u pasua me tragjedinë ku i riu 30-vjeçar, i cili është nipi i Gjon Shkambit.
Gjon Shkambi është personi i cili e ka nisur ngjarjen dhe ka pasur përplasjen ligjore me përfaqësuesit e 31 familjeve, ndërsa nipi i tij është 30-vjeçari i cili sot ka kryer krimin.

Janë mister rrethanat sesi është mundur të futet në gjykatë me armë zjarri, me pistoletë, pasi duhet të kemi parasysh që është një institucion që ose ka praninë e Illyrian Guard, institucionit të ri të ruajtjes së sigurisë fizike të krijuar nga Policia Shqiptare dhe të Policisë së Shtetit.

Mënyra sesi janë kaluar të gjitha kontrollet, qoftë ato me detektor, pa rënë në sy arma e krimit, përbën një skandal më vete të paprecedentë për të cilin besoj duhet të ketë edhe një hetim.

Por skenari dhe rrethanat në të cilat ndodh ngjarja janë dramatike, pasi përgjatë muajve të fundit kemi parë edhe kryeministrin e vendit, i cili sulmon dhe etiketon gjyqtarë dhe prokurorë për çështje që lidhen me pronësinë.