VIDEO/ Vrasja e gjyqtarit, Neza: Rama gjeti arsye periferike për krimin, shmangu problemet e vërteta
Gazetari Sami Neza i ftuar në emisionin ‘Task Force’ me Sonila Meçon në SYRI TV, komentoi vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja brenda ambienteve të gjykatës së Apelit.
Duke analizuar shkaqet reale që, sipas tij, e kanë çuar drejt një situate të tillë alarmante në sistemin e drejtësisë, Neza tha se, problemi nuk qëndron tek elementët periferikë që përmendi kryeministri Rama, por tek defektet e thella strukturore të reformës në drejtësi.
‘Arsyeja e parë është vetingu i shpejtë. Brenda 5-6 viteve janë shkarkuar gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke shtuar pamundësinë e kryerjes së proceseve gjyqësore në gjykata dhe duke ulur në mënyrë minimale aksesin e qytetarëve tek drejtësia,’ tha Neza.
Ai shtoi se një tjetër problem madhor lidhet me mënyrën se si janë shpërndarë fondet për gjyqësorin.
‘E dyta, është shpërndarja e fondeve tek gjyqësori, që ka synuar gjithmonë rritjen e pagave, por jo investimet,’ u shpreh gazetari.
Sipas tij, edhe harta e re gjyqësore ka ndikuar rëndë në situatë, duke krijuar përqendrim të tepërt dhe kushte të papërshtatshme për gjykim.
‘E treta është, harta e re gjyqësore që ka shkrirë një numër shumë të madh gjykatash dhe i ka grumbulluar të gjitha tek një ish-gjykatë Apeli që ka qenë për Tiranën. Edhe gjyqtari sot mund ta ketë zhvilluar seancën gjyqësore, në një sallë që nuk është e përshtatshme për të zhvilluar një seancë,’ tha Neza, duke shtuar se këto kushte ‘rindërtojnë atë stresin e madh që nuk ndikon vetëm tek ata që kanë probleme me gjyqësorin, por edhe tek gjyqtarët dhe administrata gjyqësore’.
Gazetari kritikoi edhe reagimin e kryeministrit Rama, duke e cilësuar të cekët dhe shmangës ndaj përgjegjësive reale të qeverisë në këtë krizë.
‘Kryeministri ka gjetur sot dy arsye, armëmbajtjen pa leje dhe çështjen e sigurisë në gjykata. Që të dyja janë periferike në prodhimin e këtij lloj krimi, sepse është hera e parë që qëllohet një gjykatës brenda në gjykatë,’ deklaroi ai.
Neza theksoi se reagimi i kreut të qeverisë ‘nuk i takon një kryeministri’, pasi shmang plotësisht thelbin e krizës që ka prodhuar kjo ngjarje tragjike.
‘Që të dyja janë arsye periferike dhe nuk i takon një kryeministri, sepse e shmang tërësisht çështjen nga problematikat që e kanë prodhuar këtë situatë dhe mungesa e vizionit e atyre që drejtuan reformën në drejtësi, qeveria dhe qoftë edhe parlamenti i cili asnjëherë nuk adresoi problemet, duke pasur parasysh jo vetëm pagat, por edhe aksesin në drejtësi të qytetarëve,’ – tha gazetari Sami Neza në SYRI TV.