Ish-këshilltari i Trump: Presidenti e ka parë videon, kjo do ketë pasoja personale për Ramën, sidomos tani që FBI po heton skandalin McGonigal

Ish-këshilltari i presidentit Donald Trump, George Papadopulos, ishte i ftuari i mbrëmjes i gazetares Armela Ferko në SYRI TV.

Ai komentoi videon skandaloze, ku Edi Rama shihet duke tallur presidentin amerikan.

Gjatë intervistës, Papadopoulos shpjegoi se pse e postoi videon në faqen e tij në X.

“Po. E postova videon pasi mendoj se është e rëndësishme që edhe bota, edhe presidenti Trump, edhe administrata e tij të kuptojnë se cilët janë ata udhëheqës që mbështesin iniciativat e paqes dhe cilët janë ata të cilët mund të shtrembërojnë këto iniciativa paqeje.

Fatkeqësisht, kryeministri i Shqipërisë duket se është nga ata që nuk mbështet haptas iniciativat për paqe të presidentit dhe kjo nuk duket mirë në marrëdhëniet mes Amerikës dhe Shqipërisë.

Mendoj se marrëdhëniet mes SHBA dhe Shqipërisë janë të forta dhe Shqipëria është aleate e fortë e SHBA sepse këto të fundit kanë investuar kapital politik dhe investime ekonomike të mëdha në Ballkan.

Kryeministri aktual i Shqipërisë, nuk e di nëse e ka bërë me dashje talljen për zotin Trump, apo donte t’i demonstronte botës se presidenti Trump nuk është një udhëheqës i efektshëm, nuk do ndikojë tek marrëdhëniet dypoalëshe.

Mund të ndikojë në marrëdhëniet personale të Edi Ramës me zotin Trump.

Dhe sigurisht, në bazë të zhvillimeve të reja në Ballkan dhe në botë, dhe me hetimet në vazhdim të FBI-së, ku përfshihet edhe Charles McGonigal, mund të ndikohen edhe këndvështrimi që ka presidenti Trump ndaj lidershipit të vendit, por jo ndaj Shqipërisë,” tha ai.

Ish-ndihmësi i Trump tha se presidenti amerikan e ka parë videon dhe kjo gjë do ketë ndikim.

“Jam i sigurt se presidenti e ka parë këtë video dhe nuk mendoj se kjo është në të mirë të marrëdhënieve të SHBA me Shqipërinë.

Duhet të kuptojmë se Ballkani sot përsëri mbetet një rajon i paqëndrueshëm. Ka tensione në rritje. Keni përsëri Rusinë që po shton praninë e vet në Ballkan. Keni ndikime që lidhen me energjinë dhe tubacionet e naftës dhe gazsjellësve që ndikojnë. Prandaj këto janë disa aspekte që duhen marrë në konsideratë,” tha Papadopoulos.