Zgjerohet mbështetja për Florian Binaj: Edhe ‘Thurja’ e Endrit Shabanit 'pro' kandidaturës e tij
Pas mbështetjes nga Partia Demokratike numri i partive opozitare që po bashkohen rreth kandidaturës së Florjan Binajt për Tiranën po shtohet.
Partia e Lirë e Ilir Metës, ‘Shqipëria Bëhet’ e Adriatik Lapajt dhe sëfundi “Nisma Thurje” e cila drejtohet nga Endri Shabani kanë dalë në mbështetje të Florjan Binajt, i cili shpalli kandidaturën vetëm pak ditë më parë.
Në një postim në rrjetin social, Endrit Shabani thekson se partia e tij mbështet kandidaturën jo-politike të artistit dhe aktivistit të njohur të të drejtave qytetare.
Postimi i Endrit Shabanit:
Florjan Binaj, zëri I qytetarëve të lirë
Sot, Kryesia e Nismës Thurje vendosi që në këto zgjedhje të mbështesim kandidatin e pavarur për Bashkinë e Tiranës, Florjan Binaj.
Ky vendim lidhet kryesisht mbi vlerat që Florjan Binaj ka treguar në gjithë këto vite aktivizëm.
Si aktivist, Flori ka treguar përkushtimin të jetë gjithmonë në anën e qytetarëve. Me të kemi protestuar përkrah në mbrojtje të Teatrit Kombëtar, në mbrojtje të lumit Vjosa, në protestat kundër rritjes së çmimeve apo shumë padrejtësive të tjera sociale.
gazetar Flori ka treguar guximin për të denoncuar korrupsionin. Ai ka folur hapur, pa filtra. Në një qytet ku propaganda ka zëvendësuar të vërtetën, zëri i tij ka mbetur i pastër dhe pavarur.
Tirana ka nevojë për një frymë të re, për njerëz që nuk janë pjesë e sistemit që e ka rrënuar.
Prandaj, jemi të bindur si kryetar bashkie Flori do i japë shpresë Tiranës dhe gjithë Shqipërisë.
Si këshilltar bashkiak, për mua do të ishte nder të punoja me kryetarin Florjan Binajn për të siguruar ushqimin në shkolla, për transportin publik dhe për ta kthyer Tiranën në një qytet që i përket shumicës, jo interesave të pakicës.